Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vucic, në një adresim tjetër të gjatë e plot dramë hapur kërcënoi se nuk pranon të vazhdojë procesin e dialogut pa plotësuar kushtet e tij të themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, sipas marrëveshjeve të nënshkruara atë pasi që ka humbur tërësisht besimin në bashkësinë ndërkombëtare gënjeshtare siç u shpreh.
Vucic me teatralitetin e zakonshëm u shpreh të hënën se tash vetëm se do të thellohet kriza dhe se fajin do ta kenë ata që nuk e dëgjuan Beogradin sipas tij. Këtë shantazh e përcolli me mburrje se e vetmja arsye pse u mbajtën zgjedhjet në veri ishte pse serbët lokalë i lejuan.
“Konkluzioni ynë është që do të mbrojmë pozicionin e popullit tonë, e kuptojmë porosinë e kryengritjes politike të serbëve të Kosovës e Metohisë, por ajo në të cilën do të këmbëngulim është një dialog real, kjo që ju konsideroni dialog nuk është i tillë. Ne na duhen bisedime reale me shqiptarët, ne kemi nevojë që të vazhdojmë rrugëtimin europian, të mbetemi në rrugën europiane, por me një dialog të vërtetë. Frikësohem se kjo është vetëm një hyrje në një krizë më të madhe dhe më të thellë në vitet e ardhshme, e për këtë janë fajtorë ata që kurrë nuk deshën që të dëgjojnë Beogradit” tha ai dhe shtoi një kërcënim për ata që i quajti gënjeshtarë.
“Mos provoni të na mashtroni. Ndalini mashtrimin e serbëve dhe Serbisë dhe më dëgjoni çfarë po u them, nëse nuk jemi në gjendje, atëherë frikësohem se vetëm do të vështirësohet për të gjithë”.
Vucic iu kthye takimit të radhës së nivelit të lartë ku tha se s’ka pritje dhe se kushti është themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe nuk do të respektojë marrëveshjet pa të. Me parakushtin shtesë që të jetë sipas marrëveshjeve të 2013 dhe 2015 duke shtuar edhe shantazhin se janë serbët ata që mund të eskalojnë.
“Nuk kam vendosur nëse do të shkoj në Bruksel me 2 maj. Lidhje me kokë s’kanë këta…Nuk i kanë lexuar as aktet elementare. Presim planin e ekipit drejtues serb. Serbët e kanë thënë qartë – duhet themeluar Asociacionin e Komunave Serbe, por në përrputhje me 22 parimet që janë nënshkruaa. Nëse nuk doni, vazhdoni okupimin kënaquni me të, por të na mashtroni e gënjeni nuk mundeni. Gjithçka kaloi në qetësi pasi serbët u pajtuan që të kalojë ashtu përndryshe as nuk do të mund të hynit në veri të Kosovës e Metohisë “.