VV-ja e arsyeton Qeverinë që ia dha KOSTT-it 10 milionë euro për rrymën në veri

Albin Kurti sa ishte deputet i Kuvendit të Kosovës numëronte humbjet që kishte Kosova nga pagesa e shpenzimeve të energjisë elektrike në veri të vendit, duke e kundërshtuar këtë.

Por, në Ligjin për Buxhetin e vitit 2020, Qeveria e udhëhequr nga Kurti ka ndarë 10 milionë euro, me kërkesë të KOSTT-it për mbulimin e këtyre shpenzimeve.

Ky vendim po arsyetohet nga anëtarë të Vetëvendosjes vetëm si garanci për KOSTT-in, deri në kohën kur fillon arkëtimi i faturave në pjesën veriore të Kosovës, raporton KOHA.

Pjesë e diskutimeve ishin edhe përfaqësues të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë në Kosovë, të cilët nuk janë deklaruar para mediave.

Ndërkaq, nga KOSTT kanë sqaruar edhe arsyen e kërkesës për 10 milionë euro nga Qeveria në detyrë.

Vetëm gjatë këtij viti janë mbi 35 milionë euro vlerë e energjisë elektrike të shpenzuara në komunat veriore të vendit.

Për anëtarët e Komisionit për të Drejtat e Njeriut ka mbetur e paqartë se si do të mbulohen shpenzimet e energjisë nga qytetarët serbë deri më 2021-n, kur pritet të fillojë arkëtimi në këtë pjesë të vendit.

Në vitin 2018 Gjykata e Apelit vendosi të pezullonte vendimin e ZRrE-së që shpenzimet e energjisë elektrike nga serbët e veriut të paguhen nga qytetarët e tjerë të Kosovës pas një padie nga Avokati i Popullit, që konsideronte që kjo përbënte shkelje të disa ligjeve.

Kosova më 21 prill të këtij viti ka arritur marrëveshje me Rrjetin Evropian të Transmetuesve të Energjisë për kalim nga blloku me Serbinë në atë me Shqipërinë.