Në një intervistë për Zërin e Amerikës Ministrja e Jashtme e Shqipërisë, Olta Xhaçka, foli rreth strehimit të qytetarëve afganë. Shqipëria ishte ndër vendet e para që u ofrua të presë qytetarët afganë që u detyruan të linin vendin e tyre për shkak të kërcënimit nga talibanët.
Xhaçka tha se faturën financiare për refugjatët në vendin tonë do ta paguajnë partnerët.
“Partnerët kanë sugjeruar përballimin e kostove nga ana e tyre. Për momentin janë duke u trajtuar me të njëjtat kosto që kanë pasur shqiptarët pas tërmetit,” tha ajo.
Fillimisht u fol për një qëndrim disa mujor të tyre në Shqipëri, ndërsa në vendimin e qeverisë parashikohet 1 vit. Ministrja u shpreh se strehimi në Shqipëri është një proces që mund të kërkojë deri në 12 muaj, ose edhe më shumë.
“Është një proces që mund të kërkojë deri në 12 muaj ndoshta edhe më shumë. Mes strehimit dhe procesimit të tyre, do të ketë një kohë të konsiderueshme. Ata qytetarë afganë që ne kemi strehuar në Shqipëri janë shumë pak në krahasim me 120 mijë të evakuuar nga Amerika. 12 muaj do të jenë minimumi për të mos thënë që do të zgjasë edhe më shumë se aq. Ne jemi në nëj komunikim të vazhdueshëm me partnerët dhe me organizatat ndërkombëtare që po bashkëpunojmë” tha ajo.
Pa ujë dhe pa drita, 25-vjeçarja u mbajt peng për 3 vite në banesë nga nëna dhe motra e saj: Respektonin 1 rit fetar
E pyetur nëse disa prej tyre do të kërkojnë të qëndrojnë në Shqipëri, Xhaçka tha se do të ishte e kënaqur nëse një pjesë e afganëve do të dëshironin që të qëndronin përgjithmonë.
“Patjetër, ua thashë që bëhet fjalë për elitën kulturore, shoqërore të Afganistanit. Janë gazetarë, mjekë, artistë, financierë, inxhinierë, etj. Janë kualifikime me të cilat do të aplikonin për programe të emigracionit në çdo vend evropian apo më tej. Ne kemi shprehur gatishmërinë për t’i pranuar me kushtin apo dëshirën e shprehur prej tyre për të vazhduar drejt SHBA-së, por nëse do të shprehin dëshirën të qëndruar do të ishim shumë të kënaqur që ta bënin Shqipërinë shtëpinë e tyre,” tha Xhaçka.
Deri tani në Shqipëri janë akomoduar 662 afganë.