Ruben Vargas shënoi një gol dhe përgatiti një tjetër. Granit Xhaka luajti tjetër ndeshje stabile në mesfushë, ndërsaZvicra arriti fitore shumë të madhe.
Të shtunën pasdite në Berlin, Zvicra e eliminoi kampionen në fuqi të Evropës, Italinë.
Helvetikët fituan 2:0 ndaj azurëve në ndeshjen e parë të një të tetës së finales në Euro 2024.
Zvicra kishte formë të lartë në fazën grupore dhe vazhdoi njëjtë edhe ndaj Italisë. Ndërkohë Italia mezi kaloi grupin, por do të largohet nga Gjermania pas vetëm një ndeshjeje në fazën nokaut.
Për Zvicrën është fitorja e parë ndaj Italisë pas plot 31 vjetësh. Gjatë tërë historisë Italia ka dominuar në përballjet me Zvicrën, por ndryshe ishte të shtunën.
Remo Freuler shënoi për 1:0 në minutën e 37-të. Vargas ishte asistues.
Me të nisur pjesa e dytë Vargas shënoi për 2:0. Dhe përfaqësuesja e Murat Yakinit e menaxhoi më pas rezultatin deri në fund.
Italianët goditën dy herë shtyllën, por pa rrezikuar seriozisht fitoren e Zvicrës.
Granit Xhaka ka kompletuar ndeshjen te Zvicra dhe e dominoi mesfushën. Ndërkohë Xherdan Shaqiri e Ardon Jashari mbetën në stol.
Në çerekfinale Zvicra takohet me fituesen e ndeshjes mes Anglisë e Sllovakisë.