Xhavit Ukaj reagon pas deklarimeve të këshilltarit të Vjosa Osmanit

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës Xhavit Ukaj, ka reaguar ndaj deklaratës së Faton Pecit, shefit të kabinetit të kryetares së Kuvendit Vjosa Osmani.

Peci në emisionin Info Magazine tha se Ukaj e kishte kërcënuar në mënyrë banale Osmanin. Por, deputeti i LDK-së i ka mohuar pretendimet e këshilltarit të Osmanit.

Ukaj tha se ngjarja vërtetohet duke i parë videot e Kuvendit.

“Deklarata ime është kjo: Që nuk është e vërtetë deklarata e z.Peci , e gjithë ngjarja vërtetohet me videot e Kuvendit. Policia e Kosovës është duke u marrë me rastin dhe do të vërtetohet ajo që kam deklaruar më herët dhe po e përsërisë prapë që nuk e kam fyer në asnjë rast të vetëm e lëre më me e kërcënu, vetëm kam kërkuar sqarim së përse ajo në çdo seancë sulmon dhe nuk u jep të drejtë deputetëve të LDK-së, dhe për çfarë arsye kërkon të më largojë nga seanca me atë lloj gjuhe që më është drejtuar”, ka thënë ai.

“Ajo në krye të Kuvendit është me propozim dhe votat e deputetëve të LDK-së, ndërsa tani ne çdo here kundër LDK-së. Faleminderit për konsideratën dhe punë të mbarë”, ka deklaruar Ukaj.