“Armën e kam siguruar më shumë se një muaj e gjysmë më parë”, ka dëshmuar Sokol Mjacaj para hetuesve, pas vrasjes në qelinë e burgut të Arben Lleshit mesditën e së premtes (15 Dhjetor).
I burgosuri me dënim përjetë për vrasjen e dy turistëve çekë ka deklaruar para hetuesve se Arben Lleshin e ka vrarë pasi kishte sherr me të sepse ky i fundit nuk e ka pranuar në sektor, raporton gazetarja Klodiana Lala.
Por mësohet se versioni i 28-vjeçarit Sokol Mjacaj është rrëzuar nga Prokuroria pasi ka dyshime se kemi të bëjmë me një vrasje me pagesë.
Ndërkohë raportohet se janë të shoqëruar 18 punonjës të burgut, si civilë ashtu edhe policë.
Sokol Mjacaj rreth dy muaj më parë është takuar me dy familjarë të tij, pasi këta të fundit thuajse nuk e takonin fare. Ndërsa viktima Arben Lleshi nuk kishte kontakte me familjen prej më shumë se 3 vitesh
Si ndodhi ngjarja
Mesditën e djeshme, Sokol Mjacaj ka qëlluar nga dritarja e qelisë për vdekje Arben Leshin, i dënuar gjithashtu me burgim përjetë për vrasjen e shtetasit Agim Hoxha në vitin 2012 në Britaninë e Madhe. I plagosur ka mbetur edhe i burgosuri tjetër, shtetasi Indrit Shaqja.
28-vjeçari i ka shkuar viktimës tek dritarja e qelisë së tij, tek zona ku dalin për ajrim.
Si pasojë e plagëve të marra Arben Lleshi ka humbur jetën, ndërsa mbetet mister se si Sokol Mjacaj kishte siguruar armën brenda burgut të sigurisë së lartë.
Gjithashtu ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja kishte urdhëruar vendosjen e tij në regjimin 41 bis.