Policia e Durrësit ka arritur të zbulojë dy laboratorë për prodhimin e kriptovalutave në fshatrat e Shijakut, ka vënë në pranga 3 persona, ndërsa ka shpallur në kërkim 4 të tjerë.
Bëhet e ditur se në pranga janë vënë shtetasit A. Ç, 26 vjeç dhe Rr. D, 36 vjeç, banues në Tiranë, si dhe L. Xh, 23 vjeç, banues në Lushnje, ndërsa janë shpallur në kërkim shtetasit E. H., M. Gj, E.H dhe Th. Z, banues në Tiranë.
“Nga hetimet e kryera nga “Njësia C – për Hetimin e krimeve kibernetike në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës rezultoi se këta shtetas në bashkëpunim me njëri tjetrin kanë kryer veprime me qëllim ngritjen e dy strukturave për prodhimin e kriptovalutave të cilat krijohen me anë të futjes dhe ndryshimit të të dhënave kompjuterike në pajisje elektronike, duke krijuar përfitime monetare si dhe shmangien e procedurave ligjore në lidhje me detyrimet ndaj shtetit, por dhe funksionimin e rregullt të këtij aktiviteti për sa i përket të ardhurave duke shfrytëzuar, keqinterpretuar dhe keqpërdorur hapësirat ligjore”, thuhet në njoftimin e policisë.
Një strukturë ishte ngritur në fshatin Pjezë, Shijak dhe struktura tjetër në fshatin Fllakë, Shijak.
Policia bën të ditur se drejtuesit e këtyre dy laboratorëve kishin kërkuar leje për këtë aktivitet, por kanë nuk kanë marrë një përgjigje pozitive nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare. Sipas policisë, asnjë aspekt i veprimtarisë së këtyre shtetasve nuk është i qartë për sa i përket aseteve të kompanisë, zhvillimit të aktivitetit, deklarimit të fitimit, futjes së të dhënave kompjuterike me qëllim përfitimin monetar e të tjera.
Policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale 631 copë pajisje elektronike për prodhimin e kriptovalutave, 630 copë panele diellore, 360 copë pajisje elektronike për sigurimin e vazhdueshëm të energjisë elektrike, 71 copë pajisje kompjuterike për procesimin e të dhënave, 71 copë pajisje kompjuterike për ruajtjen e përkohshme të të dhënave, 71 copë Hard disqe të jashtme, 71 copë pajisje elektronike për stabilizimin e temperaturave, pajisje elektronike për shpërndarjen e internetit, pajisje kompjuterike të lëvizshme dhe dokumente të ndryshme të subjekteve, fatura financiare, shënime të ndryshme.
Deri më tani vlerësohet se për krijimin e këtij aktiviteti këta shtetas kanë shpenzuar rreth 1.000.000 euro.