Zbulohet sa ministri do t’i merr partia e ‘shampanjës’ në Qeverinë Hoti

Lidhja Demokratike e Kosovës është duke negociuar me AAK’në, Nismën dhe AKR’në për të formuar qeverinë e re.

Zyrtarë nga këto parti kanë deklaruar se ka gjasë që të hënën koalicion të nënshkruhet.

Shefi i GP të Nismës, Haxhi Shala ka thënë se janë dakorduar që në bashkëqeverisjen me LDK’në të kenë dy ministri.

“Të hënën arrihet marrëveshja me LDK-në. Ajo që është me rëndësi, është se në parim jemi pajtuar që të bashkëqeverisim bashkë me LDK-në, AAK-në dhe parti të tjera minoritare dhe AKR-në. Pasi që jemi duke bashkëpunuar për programin qeveritar, njëkohësisht edhe jemi në përfundim të rrumbullakësimit të ndarjes së dikastereve me parti të tjera. Besoj që shumë shpejt do të përfundon edhe kjo marrëveshje e plotë. ka thënë Shala.

Ndërkaq anëtari i Aleancës Kosova e Re, Fatmir Matoshi ka deklaruar se është një gatishmëri e LDK-së që AKR-ja me qenë pjesë e qeverisë, por ende nuk ka ndonjë ofertë për të biseduar sikur që kanë diskutuar me AAK-në dhe Nismën Socialdemokrate.

Matoshi theksoi subjekti i tyre nuk ka kushte specifike, përveç që të ndërtohet një qeveri me zyrtarë që nuk janë të akuzuar.

“Është oferta e LDK-së qe me qenë pjesë e qeverisë së ardhshme, por ende nuk jemi ul me fol me LDK-në. Ende nuk jemi ulë me diskutuar, edhe pse LDK-ja dje ka pasur një sërë takimesh me parti të tjera, por ne ende jo. Presidenti Pacolli nuk është në Kosovë, po presim ndoshta në javën që vjen me diskutua me LDK-në”, tha ai.

Sot gjatë ditës LDK-ja ka publikuar rezultatet e votimin në Këshillin e Përgjithshëm të LDK-së, për nominimin e Avdullah Hotit për të qenë kryeministër.

Në bazë të rezultateve të votave nga gjithsej 124 anëtar aktual të Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së janë përgjigjur 117 anëtarë të KP, prej tyre 115 janë shprehur për (pro), ndërsa 2 janë shprehur kundër.