Zbuloi sekretet e Pentagonit për Ukrainën, dalin pamjet e arrestimit të 21 vjeçarit që publikoi dokumentet

Mediat ndërkombëtare kanë publikuar pamjet e arrestimit të 21-vjeçarit Jack Teixeira, njeriu më i kërkuar i momentit, i cili akuzohet se publikoi në rrjet dhjetëra dokumente sekrete të Pentagonit, pjesa më e madhe e të cilave kishte lidhje me luftën në Ukrainë, por edhe marrëdhëniet e SHBA me aleatët.

21-vjeçari ishte anëtar i gardës kombëtare ajrore që shërben në një sektor të inteligjencës në Masaçusets, ndërkohë që arrestimi i tij u bë i mundur nga agjentët e FBI, në shtëpinë e nënës.

Teixeira ishte identifikuar nga The New York Times përpara arrestimit të tij të enjten si drejtuesi i grupit online ku u postuan dokumentet e klasifikuara.

Rrjedhja në rrjetet sociale e dokumenteve sekrete të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për luftën në Ukrainë detyroi autoritetet amerikane të hapin një hetim të gjerë për mënyrën sesi ato dolën.

“New York Times” zbuloi gjithashtu se mes tyre kishte dhe të dhëna për planet e NATO-s dhe mbështetjen që SHBA do t’i ofrojë Kievit gjatë një ofensive të mundshme kundër Rusisë në pranverë.

Përmbajtja e tyre ishte tepër sensitive dhe zbuloi edhe njëherë aftësinë dhe shpërndarjen e rrjetit të spiunazhit të Amerikës në mbarë botën, duke treguar detaje se si SHBA vijon të infiltrojë agjentët e saj në vendet aleate.

Jack Teixeira in a photo his mother posted on social media. Photograph: web

Sipas Wall Street Journal, dokumentet, mes të tjerash, japin një pamje të qartë të kapacitetit ushtarak të shkatërruar të Kremlinit, si dhe në çfarë mase taktikat e spiunazhit të SHBA kanë depërtuar në makinën e luftës të Vladimir Putin madje dhe në rrethin e tij të ngushtë.

Dokumentet e klasifikuara filluan të shfaqen fillimisht në platformën Discord në fund të muajit shkurt, dhe në vazhdim u përhapën në media të tjera sociale, përfshirë në rrjetet Telegram dhe Twitter. Megjithatë, ato nuk tërhoqën shumë vëmendje derisa gazeta The New York Times, raportoi për këto materiale.