Një zëdhënës shtypi i Roman Abramovich ka konfirmuar faktin se oligarku rus dyshohet se është helmuar më herët këtë muaj, menjëherë pas takimeve në tryezën e negociatorëve të konfliktit Ukrainë-Rusi.
Persona të tjerë, të cilët mund të jenë helmuar, nuk janë konfirmuar nga njerëzit e Abramovich. Megjithatë, vetë fakti se miliarderi pohon vërtetësinë e këtij lajmi, është një dëshmi e situatës shumë delikate në të cilën ai mund të ndodhet, për shkak të rolit që ka marrë mbi supe.
Abramovich është mirë dhe nuk shfaq simptoma momentalisht, por për disa kohë ai ka shfaqur shenja të një helmimi, i cili mendohet se mund të ketë qenë i lidhur me agjentë kimikë apo biologjikë.
Pavarësisht faktit se fillimisht u mendua se Abramovich ka qenë pjesë e vetëm një takimi në Kiev, njerëzit pranë tij e kanë konfirmuar për mediat se ai ka qenë pjesë e disa takimeve, përfshi një persona me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Çfarë ndodhi?
Oligarku rus, Roman Abramovich dhe negociatorët ukrainas në tryezën “e paqes” me Rusinë, kanë vuajtur simptoma të një helmimi të dyshuar, pas një takimi në Kiev më herët këtë muaj, thonë disa persona familjarë me çështjen.
Sipas medias hetuese Bellingcat, bëhet fjalë për netët e datave 3 dhe 4 mars 2022, ku tre pjesëtarë të delegacioneve që ishin pjesë e tryezës janë takuar.
Një prej tyre, mendohet se është pikërisht Roman Abramovich, i cili është ndër oligarkët e pakët rus, të cilët nuk janë sanksionuar plotësisht nga vendet perëndimore, pikërisht për faktin se ai mund të ndihmojë në bisedimet mes Ukrainës dhe Rusisë.
Ajo që bën më tepër përshtypje, lidhet edhe me faktin se dyshimet kryesore bien mbi një helmim me agjentë kimikë.
Simptomat, përfshijnë skuqje të syve, lotim të tyre, heqje lëkure në fytyrë dhe duar. E gjithë kjo, sipas personave të afërt me çështjen.
Lajmin e ka publikuar edhe e përditshmja amerikane “Wall Street Journal”, gazetarët e së cilës kanë kontaktuar me njerëz të afërt të Abramovich dhe e kanë konfirmuar faktin, po nuk kanë bërë hipoteza mbi arsyet se pse kjo gjë mund të ketë ndodhur dhe kush ka qenë shënjestra e këtij helmimi potencial.
Me Abramovichin, është takuar edhe vetë Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i cili nuk ka shfaqur simptoma të tilla as pas takimit.
Dy negociatorët e tjerë ukrainas, kanë qenë të prekur, po gjendja e tyre shëndetësore është përmirësuar më pas sipas burimeve të “Wall Street Journal”.
Vetë ekspertët ndërkombëtarë, të cilët janë familjarizuar me çështjen, e kanë pasur të vështirë të gjejnë një arsye konkrete të helmimit, duke lënë të hapura mundësitë mbi përdorimin e agjentëve kimikë ose biologjikë.
Gjithsesi, nuk përjashtohet as një mundësi e një sulmi me radiaksion elektromagnetik, sipas njerëzve që e njohin fushën.