Policia e Kosovës, sot ka rrethuar objektin e Telekomit të Kosovës, por pa ndonjë njoftim zyrtar se pse ka ndodhur kjo. Zëdhënësi i Telekomit të Kosovës, Menduh Abazi në një prononcim për media, ka thënë se kjo sjellje e policisë ua kujton represionin e sistemit të kaluar duke aluduar në sistemin e Millosheviqit.
Abazi ka thënë se kjo është një sjellje e papranueshme, prej atyre që kanë ftuar policinë në atë formë në objektin e Telekomit, duke shkaktuar frikë te punëtorët.
“Kushdo që ka ftuar policinë në numër kaq të madh, ka bërë një gabim jashtëzakonisht të madh. Kjo po na e kujton kohën e represionit serb. Nëse dikush e ka ftuar policinë për një mbledhje, që ne nuk po e dimë, pasi ne kemi komunikim edhe me bordin, dhe ata thonë se nuk dinë asgjë. Nëse një instituicion ka policë brenda, dhe punëtorët nuk e dinë se pse ata kanë ardhur, atëherë është friksim i tyre, të cilët edhe janë në numër të vogël, pasi kemi reduktuar stafin shkaku i pandemisë”, ka thënë Abazi.
Ndërsa duke folur për shkarkime, dhe mundësinë se policia aty është ftuar nga bordi i cili do të merrte vendime që të shkaktojë menaxhmentin, dhe po i nevojitej edhe ndihma e policisë, Abazi i ka mohuar këto lajme.
“Është e pavërtetë se bordi i Telekomit ka pasur në rend dite sot ndonjë shkarkim. Bordi ka thirrur sot mbledhje, por ajo nuk është mbajtur, nuk i di arsyet pse”, ka thënë ai.