Zeman në kujdes intensiv, si u sëmur kundërshtari i pavarësisë së Kosovës pasi i humbi zgjedhjet?

Presidenti çek Milos Zeman gjatë ditës së djeshme u dërgua në kujdes intensiv, menjëherë pasi mbajti takim me kryeministrin e vendit, Andrej Babis, udhëheqja e të cilit qëndron në ekuilibër pas humbjeve në zgjedhje.

Zeman luan një rol vendimtar në emërimin e kryeministrit të ardhshëm pas zgjedhjeve. Por e ardhmja politike e Republikës Çeke tani është në harresë teksa Zeman po trajtohet në Spitalin Qendror Ushtarak të Pragës, transmeton Klankosova.tv.

“Arsyeja e shtrimit në spital [të Zemanit] janë komplikimet nga sëmundjet për të cilat ai ka marrë trajtime,” tha mjeku, Miroslav Zavoral, në një deklaratë të shkurtër dje, duke shtuar se ai ende nuk mund të flasë për diagnozën.

Por, Zeman njihet edhe si kundërshtues i madh i Pavarësisë së Kosovës, sa që kishe kërkuar edhe çnjohjen e saj, njofton Klankosova.tv.

Në shtator të vitit 2019, Zeman dëshironte që të diskutojë me zyrtarët kushtetues çekë mundësinë që vendi i tij ta tërheqë njohjen e Kosovës si shtet të pavarur.

Sipas zëdhënësit të tij, Jiri Ovcacek, atëbotë Zeman i bëri këto komente në një konferencë për media në Beograd, pas takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Shteti, i udhëhequr nga kriminelët e luftës, nuk i përket bashkësisë së shteteve demokratike”, tha Zeman asokohe, duke iu referuar Kosovës.

Por, zyrtarët çekë rrëzuan propozimin e tij për tërheqjen e njohjes së Kosovës, siç u bë me dije nga ministri i Jashtëm, Tomas Petricek.

Ai tha se pas një takimi të zyrtarëve të lartë të shtetit për koordinimin e politikës së jashtme çeke, se ata ranë dakord që çështja e njohjes së pavarësisë së Kosovës nuk ishte në axhendë deri më tani.

“Ne u pajtuam që marrja parasysh e çështjes së njohjes së (Kosovës) është e papërshtatshme. Situata nuk ka ndryshuar në asnjë mënyrë, kështu që Republika Çeke nuk mund të ndryshojë pozicionin e saj që ka marrë gjatë dhjetë viteve të fundit”, shtoi ai.

Kryetari i Senatit çek në atë kohë, Jaroslav Kubera, tha se ideja e presidentit për tërheqjen e njohjes së Kosovës, është joreale.

“Presidenti mund të thotë çfarë të dojë, por nuk është ai që mund të bëjë diçka. Do të ishte debat i madh për asgjë”, tha Kubera për portalin çek iDnes.

Sipas tij, Zeman i bëri komentet e tilla vetëm për t’iu pëlqyer serbëve.

Kujtojmë se Çekia e ka njohur Kosovën në vitin 2008 – pak kohë pas shpalljes së pavarësisë – kur kryeministër i këtij vendi ishte Mirek Topolanek, ndërsa ministër i Jashtëm, Karel Schwarzenberg.