Në panelin e pasdites u njoftua se kishte debat të ashpër mes Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vucic, e siç pritej përkundër rregullave diplomatike të “Chatham House Rules”, fjalët e rënda të zënkës nuk kishin si mos të rridhnin në publik. Vucic përveç paraqitjes së qëndrimeve e kishte ofenduar Albin Kurtin sipas mediave serbe.
Siç ka ‘mësuar’ gazeta serbe Kurir, gjatë bisedës në tavolinën e rrumbullakët në panelin e diskutimeve për Ballkanin perëndimor zënka kishte nisur pas kur kryeministri kosovar kishte kritikuar nismën e ‘mini-shengen’ dhe presidenti serb Vucic i ishte përgjigjur dhe sipas Kurir ‘e ka shkatërruar atë dhe i ka mbyllur gojën atij’.
“Nuk mund ta fyeni Serbinë vetëm se mendoni se jeni një yll i madh. Ju nuk përfaqësoni një shtet. Gjysma e botës, anëtarë tëKombeve të Bashkuara nuk ju kanë pranuar, e nëse flasim edhe për territor edhe më shumë se aq. Nëse vazhdoni me ofendime, ok është. Ne do të bëjmë gjithçka që të ruhet paqja e stabiliteti, nuk do të na provokoni. Poshtërimin e përpjekjeve tona rreth mini shengen, unë nuk po ju kuptoj. Por për ju do të jetë sfidë e madhe nëse mendoni të luani rolin e një tipi të rëndësishëm” kishte thënë Vucic.
Sipas Kurir kryeministri kosovar Kurti nuk ka folur pas kësaj, e tutje Vucic e kishte porositur edhe një.
“Nëse jeni duke menduar për masa reciprociteti më parë lexoni Marrëveshjen e Brukselit. Aty shkruan se ju duhet të formoni Asociacionin e komunave Serbe. Ky është obligimi i juaj i vetëm dhe nuk keni bërë asgjë- shkruan portali serb Kurir ti ketë thënë Vucic në fund kryeministrit Kurti e ky sipas tyre nuk ka thënë asnjë fjalë.
Konferenca për Siguri në Munih për kosovarët e serbët nisi me nënshkrimin e marrëveshjes për hekurudhat dhe autostradat fillimisht përpjekje kjo e të dërguarit special të presidentit amerikan, Ambasadorit Richard Grenell, që ka nxitur tani debat shtesë në Kosovë pasi kryeministri Kurti kishte deklaruar se nuk ishte pyetur as nuk i ka lexuar përmbajtjen e dokumenteve as ai as qeveria kosovare.
Në Munih merr pjesë edhe Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, që ishte prezent në nënshkrimin e marrëveshjes, siç u vlerësua historike nga Ambasada Amerikane në Berlin.