Rebelimi ushtarak i Wagner në Rusi po avancon më shpejt seç pritej, me trupat mercenare që dyshohet se kanë shtënë në dorë rajonin e Rostovit, ashtu siç edhe vetë pretendon shefi i tyre Yevgeny Prigozhin.
Pak orë pasi i bëri thirrje ushtrisë të rebelohet dhe të mos bëjë rezistencë ndaj aksionit të tij për drejtësi, që konsiston në ndëshkimin e ministrit të Mbrojtjes Sergei Shoigu, ish-aleati i Putin pretendon se forcat e tij kanë kaluar nga Ukraina në lindje të Rusisë.
Ai po ashtu thotë në një video-mesazh të ri se të gjitha selitë ushtarake në qytetin rus të Rostov-on-Don janë nën kontrollin e grupit mercenar Wagner.
Sipas Reuters, shefi i Wagner thotë gjithashtu në videon, e cila u postua në Telegram, se ai dhe njerëzit e tij ndodhen në selinë ushtarake të distriktit jugor në Rostov-on-Don.
Prigozhin gjithashtu shprehet se trupat e tij do të bllokojnë qytetin dhe do të shkojnë në Moskë nëse Ministri i Mbrojtjes Sergei Shoigu dhe gjenerali Valery Gerasimov nuk vijnë për t’i takuar.
“Kemi mbërritur këtu, duam të presim shefin e shtabit të përgjithshëm dhe Shoigun. Nëse ata nuk vijnë, ne do të jemi këtu, do të bllokojmë qytetin e Rostovit dhe do të nisemi për në Moskë,” thotë ai.
Në pamjet e veçanta të postuara në një kanal pro-Wagner, Prigozhin shihet i ulur mes dy gjeneralëve, njëri prej të cilëve është gjeneral-lejtnant i ushtrisë Vladimir Alekseyev, i cili më herët kishte postuar një video duke i kërkuar shefit të Wagner-it të largohej.
Automjetet ushtarake ruse ndërkohë janë vendosur në qytetin rajonal të Rostov-on-Don, rreth 100 km në lindje të kufirit me Ukrainën.
Në një video tjetër të postuar në Telegram, pretendohet se tregon Yevgeny Prigozhin brenda selisë ushtarake jugore të Rusisë në Rostov-on-Don.
Masa anti-terror në Moskë
Ndërkohë në Moskë, kryebashkiaku ka njoftuar se po merren masa anti-terroriste për të përforcuar sigurinë në kryeqytet.
Duke shkruar në Telegram, Sergey Sobyanin shkroi: “Në lidhje me informacionin e ardhur, në Moskë po merren masa anti-terroriste që synojnë forcimin e masave të sigurisë. Është vendosur kontroll shtesë në rrugë. Është e mundur të kufizohet mbajtja e ngjarjeve publike. Ju lutemi merrni parasysh masat e marra me mirëkuptim.”
Guvernatori i rajonit të Rostovit u kërkon banorëve të qëndrojnë brenda
Gjërat duket se po ecin shumë shpejt në qytetin e Rostov-on-Don, ku pamjet në kanalet lokale Telegram duket se tregojnë forcat e armatosura që rrethojnë një ndërtesë qeveritare.
Pamjet – të cilat nuk janë verifikuar nga BBC – tregojnë burra të armatosur me uniformë duke ecur rreth perimetrit të ndërtesës, ndërsa automjetet e blinduara ku përfshihen dy tanke, e rrethojnë atë.
Agjencia e lajmeve Reuters thotë se ka verifikuar vendndodhjen si ndërtesa e selisë së policisë.
Ndërkohë guvernatori lokal Vasily Golubev u bëri thirrje banorëve të shmangin qendrën e Rostov-on-Don dhe të qëndrojnë brenda.
“Në lidhje me situatën aktuale, ju kërkoj që të përmbaheni nga lëvizja në qendër të qytetit”, është shprehur ai.
Duke shkruar në Telegram, Golubev gjithashtu tha: “Situata aktuale kërkon përqendrimin maksimal të të gjitha forcave për të ruajtur rendin. Agjencitë ligjzbatuese po bëjnë gjithçka që është e nevojshme për të garantuar sigurinë e banorëve të zonës. I kërkoj të gjithëve të qëndrojnë të qetë dhe të mos dalin nga shtëpia pa qenë nevoja”.
Rajoni i Rostovit kufizohet me Ukrainën në lindje dhe duket se Wagner e ka pasur më të lehtë që ta shtijë në dorë pasi ishin angazhuar në luftë në afërsi të kësaj zone.