Ishulli i Sazanit, që prej pasdites së 5 qershor, është i përfshirë nga flakët dhe një vatër e madhe zjarri rrezikon të djegë qindra hektarë pyje, por mbi të gjitha ka një rrezik real sa i përket prekjes së një baze ushtarake me municione të pashpërthyera.
Në bazë të njoftimit të fundit nga Ministria e Mbrojtjes, grupet e punës vijojnë të jenë të angazhuara me shuarjen e zjarrit. Janë të angazhuar momentalisht 61 efektivë të Forcës Detare dhe asaj Tokësore, por edhe punonjës të Agjencisë së Zonave të Mbrojtura dhe forcat zjarrfikëse të Vlorës.
Vatra ka pasur një qetësi momentale gjatë pasdites por ajo është riaktivizuar, duke parë edhe terrenin dhe temperaturat avantazhuese për përhapjen e flakëve.
Bimësia e dendur e ka vështirësuar po ashtu ndërhyrjen e trupave.
Ish-reparti ushtarak në Sazan paraqet rrezikshmëri nëse përfshihet nga flakët, për shkak se municionet, të cilat gjenden aty, janë të pashpërthyera dhe mund të shkaktojnë dëme të shumta.
Trupat në terren vazhdojnë përpjekjet edhe gjatë orëve të pasdites, ndërkohë që janë marrë masa për zëvendësimin dhe shtimin e tyre.
Një apel për të pasur gatishmëri të plotë ka pasur edhe nga Presidenti i Republikës, Ilir Meta, i cili ka theksuar se situata duhet vënë në kontroll dhe duhet të jenë të angazhuara të gjitha forcat, për të evituar situatat e krijuara vitin e shkuar.
Gjatë verës së kaluar, një numër shumë i madh zjarres (edhe të qëllimshëm), e pushtuan vendin, ku nuk munguan as viktimat.
Akti i zjarrvënies së qëllimshme dënohet me burgim në Shqipëri.
Ndërsa, sipas institucioneve përkatëse, janë marrë masat që situatat të kontrollohen dhe të mos ketë dëme të mëdha në të gjithë vendin.