Edi Rama, Aleksandër Vuçiç dhe Zoran Zaev do të takohen në Beograd të mërkurën dhe të enjten në një samit dyditor për të përcaktuar hapat e mëtejshme të “Ballkanit të Hapur”.
Por, zhvillimet e së dielës në Shkup dhe dorëheqja e parevokueshme e Kryeministrit të Maqedonisë së Veriut vënë në pikëpyetje serioze të ardhmen e kësaj nisme.
Zaev, partia e të cilit pësoi një humbje turpëruese në zgjedhjet e fundit vendore u dorëhoq edhe nga kryetari i LSDM-së. Ai mori përgjegjësinë për këtë humbje, por tha se LSDM do të vazhdojë të qeverisë vendin, duke nënkuptuar se angazhimi e premtimet e bëra edhe në kuadër të “Ballkanit të Hapur” do të mbeten.
Por sa reale janë këto qëndrime?
Zaev do të shkojë në Beograd si Kryeministër i dorëhequr dhe me pasiguri të mëdha politike e rrjedhimisht vendimmarrëse në Shkup. Pas dorëheqjes së tij, LSDM duhet të zgjedhë kryeministrin dhe kryetarin e saj të ri për të pasur vazhdimësinë në pushtet.
Procesi i zgjedhjes së emrit të kryeministrit dhe kryetarit të partisë mund të mos jetë aq kompleks dhe LSDM të ruajë pushtetin. Dilema është për sa kohë? Aktualisht, Zaev mban shumicën edhe falë tre partive shqiptare, që në zgjedhjet e fundit vendore e radhitën veten në opozitë.
Ato janë partitë Alternativa dhe Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja Besa. Numrat e tyre në Kuvend i mundësojnë shumicën prej 62 deputetësh të qëndrueshëm, që u shtohen 5 të Lëvizjes Besa, që ka zgjedhur ta mbështesë qeverinë, por pa u përfshirë vetë në qeverisje.
Me zhvillimet e fundit, LSDM duket se ka të sigurt mbështetjen e BDI-së së Ali Ahmetit me 15 deputetët e saj në Kuvend, e po ashtu edhe të Lëvizjes Besa, me pesë deputetët e marrë në zgjedhjet e korrikut të vitit të kaluar.
Kjo do t’i siguronte LSDM-së shumicën e brishtë prej 61 mandatesh në Parlamentin me 120 deputetë. Alternativa dhe Aleanca për Shqiptarët me 12 deputetët e saj, si dhe maqedonasit e partisë “E Majta” pritet që në rast të një votëbesimi të Qeverisë së re të udhëhequr nga LSDM do votojnë kundër.
Votëbesimi mund të minohet edhe nga paqëndrueshmëria brenda vetë koalicionit “Mundemi” të LSDM-së me Besën. Nuk përjashtohet mundësia që ndonjë prej pesë deputetëve shqiptarë të këtij koalicioni të rreshtohen kundër, e po ashtu nuk përjashtohet as një ndryshim drastik qëndrimesh nga BDI.
Kjo do të çonte në rënien e shumicës parlamentare dhe përgatitjen e vendit për zgjedhje të reja. Nga këto zhvillime buron edhe optimizmi i kreut të opozitës maqedonase, Hristjan Mickovski. Pasi deklaroi fitoren e madhe në zgjedhjet vendore, ai tha se vendi tani duhet të shkojë në zgjedhje të reja të përgjithshme.
Ai falenderoi Alternativën dhe Aleancën për Shqiptarët, si dhe partinë maqedonase “E Majta” për mbështetjen e opozitës në këto zgjedhje, duke dëshmuar se sipas tij barrierat mund dtë thyhen dhe një front i gjerë opozitar është i mundur për formimin e një shumice të re në Parlament.
“Treguam se mund të bëhemi bashkë për një Maqedoni pa korrupsion. Kjo dëshmon se një bllok opozitar është i pashmangshëm dhe ai do të sigurojë fitore në zgjedhjet e ardhshme të cilat me shumë gjasa do të jenë të parakohshme”, u shpreh Mickoski.
Nisur nga rezultati i zgjedhjeve vendore, zgjedhjet e reja parlamentare parashikohet se do të risjellin në pushtet VMRO-DPMNE për herë të parë që nga largimi i Nikolla Gruevskit. Ndryshimi i pushtetit mund të sjellë edhe qasje tjetër sa i takon “Ballkanit të Hapur”.
Hristjan Mickovski është shprehur skeptik për nismën. Disa muaj më parë deklaronte se kishte një qëndrim neutral, por më vonë nënkuptoi se është kundër saj, përmes një deklarate ku tha se nismat rajonale nuk mund të zëvendësojnë integrimin e gjithë Ballkanit Perëndimor në BE.
“Që të jem i qartë nuk kam shumë informacion në lidhje me këtë nismë. Kam mësuar diçka vetëm nga mediat. Më duhet të mësoj më shumë se për çfarë bëhet fjalë për të pasur një mendim dhe për t’u pozicionuar nëse e mbështes, apo jo. Por, mesazhi im është që asnjë ide rajonale nuk mund ta zëvendësojë të ardhmen e Ballkanit në Bashkimin Europian”, deklaronte Mickovski.
Me të gjitha këto pasiguri do të mblidhet Rama, Vuçiç dhe Zaev në takimin dyditor në Beograd, që pason atë të Forumit Ekonomik të Shkupit, ku u ra dakord për zbatimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve dhe mallrave duke filluar nga janari i vitit 2023.
Tashmë, ky objektiv i tyre kërcënohet nga pasiguritë e qeverisjes në Maqedoninë e Veriut dhe një tërheqje e mundshme e Shkupit nga kjo ide do ta zhvlerësonte “Ballkanin e Hapur” në një marrëveshje dypalëshe Shqipëri-Serbi, në një kohë që dy vendet nuk kanë as kufi me njëri-tjetrin.