Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka konfirmuar se ka marrë vendim për rritjen e çmimit të energjisë elektrike për 16%.
Meqë gjatë mbledhjes ZRRE-ja refuzoi të tregojë ndikimin në tarifa pas miratimit të kërkesës së operatorëve ekonomikë, këtë e bëri përmes një komunikate të publikuar në rrjetin social ‘Facebook’.
“Rritja mesatare e tarifave për të gjitha kategoritë e konsumatorëve bazuar në të Hyrat e Lejuara Maksimale është rreth 16%. Pjesë e shqyrtimit nga Bordi kanë qenë edhe ankesat e konsumatorëve dhe çështje të tjera të lidhura me funksionimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji”.
Dy orë pasi që u miratua ky vendim me iniciativën e grupit “Asnjë cent më shumë”, qytetarët kanë protestuar për herë të dytë nga sheshi “Zahir Pajaziti” në Prishtinë deri tek Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE).
Shtrenjtimi i rrymës është kundërshtuar nga qindra qytetarë.
Protesta e parë kundër vendimit për shtrenjtimin e rrymës ishte organizuar më 5 prill.
Në muajin shkurt, veçse nisën paralajmërimet për rritjen e çmimit të energjisë elektrike. Fillimisht u tha se rritja do të ishte prej 35 për qind, e më pas, nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), u sqarua se rritja do të ishte prej 15%.
Ky njoftim shkaktoi kundërshtime të shumta, të cilave iu bashkëngjit edhe presidentja Vjosa Osmani.
Përveç kësaj gjatë muajit të fundit, u organizuan aksione të njëpasnjëshme nga grupi “Asnjë cent më shumë”, anëtarët e të cilëve u arrestuan nga Policia e Kosovës pasi realizuan aksionin e tyre brenda Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE).
Megjithatë, të gjitha kundërshtimet dhe aksionet nuk e bënë ZRRE-në të marrë një vendim për anulimin e kësaj rritje.