Zyra e kryeministrit në detyrë, për Gazetën Express e ka konfirmuar se Ramush Haradinaj ka kërkuar shtyrjen e votimit për pranimin e Kosovës në INTERPOL.
“Duke marrë parasysh rrethanat e krijuara, bazuar në kompetencat si Kryeministër në detyrë, sot kam kërkuar shtyrjen e votimit të Kosovës për anëtarësim në INTERPOL për vitin e ardhshëm”, thuhet në përgjigjen nga zyra e Kryeministrit.
Ndërkohë Mediat serbe sot kanë publikuar një dokument me të cilin thuhet se kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka njoftuar Asamblenë e INTERPOLIT se Kosova po e tërheq kërkesën për anëtarësim.
Sipas këtij dokumenti të publikuar thuhet se Haradinaj e ka arsyetuar këtë njoftim me faktin se Kosova është gjendur në një situatë të zgjedhjeve të parakohshme.
“Duke pasur parasysh se në Kosovë më 6 tetor janë mbajtur zgjedhjet parlamentare, ju lusim me respekt që kërkesën tonë për aplikim për anëtarësim ta shtyni deri në seancën e ardhshme të Asamblesë së Përgjithshme të Interpolit”, thuhet të ketë shkruar Haradinaj.
Kjo është hera e dytë që Kosova tërhiqet nga përpjekja për anëtarësim në INTERPOL./