POLITIKE

Zyrtarët ukrainas: Kievi dhe Uashingtoni pajtohen për një marrëveshje ekonomike kornizë

Ukraina dhe Shtetet e Bashkuara kanë arritur një marrëveshje ekonomike kornizë që do të përfshijë qasjen amerikane tek mineralet e rralla në Ukrainë, thanë të martën tre zyrtarë të lartë të Kievit.

Zyrtarët, të cilët kishin njohuri për këtë çështje, folën në kushte anonimiteti sepse nuk ishin të autorizuar të flisnin publikisht. Njëri nga zyrtarët tha se Kievi shpreson se nënshkrimi i marrëveshjes do të sigurojë vazhdimin e mbështetjes ushtarake amerikane për të cilën Ukraina ka nevojë urgjente. Deri në publikimin e lajmit nuk ka patur përgjigje nga administrata e Presidentit Trump në lidhje me një kërkesë për koment.

Marrëveshja mund të nënshkruhet të premten ndërsa hartohen plane që Presidenti Volodymyr Zelenskyy të udhëtojë drejt Uashingtonit për një takim me Presidentin Trump, sipas një prej zyrtarëve ukrainas.

Një zyrtar tjetër tha se marrëveshja do të ofronte një mundësi që dy udhëheqësit të diskutonin për një ndihmë të vazhdueshme ushtarake për Ukrainën, duke theksuar nevojën që Kievi të finalizonte marrëveshjen. Sipas një zyrtari, disa detaje teknike janë ende duke u përpunuar.

Duke folur me gazetarët në Zyrën Ovale, Presidenti Trump tha se kishte dëgjuar se zoti Zelenskyy do të vizitonte Uashingtonin. Ai shtoi se “jam dakord nëse ai donte të nënshkruante ndonjë marrëveshje”.

Presidenti Trump e quajti atë një marrëveshje madhore, duke shtuar se mund të kishte një vlerë prej një trilion dollarësh. Mund jetë e përgjithshme, por ka të bëjë me mineralet e rralla dhe gjëra të tjera, tha ai.

Megjithatë, korniza nuk përfshin një propozim të debatueshëm të administratës së Presidentit Trump për t’u dhënë Shteteve të Bashkuara minerale të rralla ukrainase me një vlerë prej 500 miliardë dollarësh si kompensim për ndihmën në luftën e Kievit.

Por në vend të kësaj, Shtetet e Bashkuara dhe Ukraina do të kishin pronësi të përbashkët të një fondi ku Ukraina në të ardhmen do të kontribuonte 50% të të ardhurave nga burimet shtetërore, përfshirë mineralet, naftën dhe gazin, sipas zyrtarëve.

Megjithatë, marrëveshja nuk përfshin garanci sigurie. Një zyrtar tha se të dy presidentët do të diskutonin për këtë çështje kur të takoheshin.

Përparimi në negocimin e marrëveshjes vjen pasi Presidenti Trump dhe homologu Zelenskyy shkëmbyen një retorikë të mprehtë javën e kaluar lidhur me dallimet e tyre për këtë çështje.

Presidenti Zelenskyy tha se ai nuk pranoi nënshkrimin e një marrëveshjeje të nxitur nga Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, gjatë vizitës së tij në Kiev në fillim të muajit. Ai tha se e kishte kundërshtuar nënshkrimin disa ditë më vonë gjatë një takimi në Munih me Nënpresidentin amerikan JD Vance, pasi propozimi amerikan nuk përfshinte garanci sigurie.

Më pas, Presidenti Trump e quajti zotin Zelenskky ‘një diktator pa zgjedhje’ ndërsa shprehu pretendimet se mbështetja për të mes votuesve kishte pësuar rënie drastike.

Por dy palët arritën përparime të rëndësishme gjatë vizitës tre-ditore në Ukrainë javën e kaluar të gjeneralit në pension, Keith Kellogg, i dërguari special i Presidentit Trump për Ukrainën dhe Rusinë.

Ideja u propozua fillimisht vjeshtën e kaluar nga Presidenti Zelenskyy si pjesë e planit të tij për të fuqizuar Kievin në negociatat e ardhshme me Moskën./VOA


FM IMAGES

FM IMAGES ALBANIA - Copyright © 2025 e-mail: info@fmimages.net. All Rights Reserved.

Recent Posts

  • BOTA

VIDEO/ Momenti kur aktivizohet sistemi mbrojtës ajror, sulmohet Ambasada Amerikane në Bagdad

Një sistem mbrojtës ajror u aktivizua pranë Ambasadës Amerikane në Bagdad të shtunën në mbrëmje,…

2 orë ago
  • LAJME

‘Çfarë do t’i them popullit?’ Shqetësimi i Ibrahim Rugovës që nuk takoi zyrtarë të lartë në ShBA

Mal Berisha, ish-ambasador e diplomat, ka treguar një rrëfim interesant nga takimet e tij në…

7 orë ago
  • FOTO&VIDEO

Kërcënoi me vdekje kandidatin shqiptar për kryetar të Cyrihut për shkak të qëndrimeve për Gazën, arrestohet shtetasi malazez

Fushata zgjedhore në qytetin e Cyrihut po tregon anën e saj të shëmtuar pak para…

10 orë ago
  • KRYESORE

Tronditje në Emiratet e Bashkuara Arabe: Raportohet se është goditur aeroporti i Dubait, fluturimet janë pezulluar menjëherë

Shpërthime të forta janë raportuar në Dubai në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe në kryeqytetin…

13 orë ago
  • KRYESORE

Sulmohen bazat amerikane! Natë ferri në Iran, mbi 80 avionë izraelitë mbi Teheran, bie aeroporti

Irani ka përjetuar një tjetër natë ferri. Shpërthime të fuqishme kanë ndodhur një nga aeroportet…

15 orë ago
  • KRYESORE

“Washington Post”: Rusia po i ofron inteligjencës iraniane informata për vendndodhjen e forcave amerikane

Rusia është duke i ofruar Iranit informacione mbi vendndodhjen e luftanijeve dhe avionëve amerikanë në…

1 ditë ago