Zyrtari i afërt me Kurtin: Jemi ende larg me LDK’në, Presidenti problemi kryesor

Partia e Albin Kurtit ende po e sheh pozitën e Presidentit si problemin më të madh për të lidhur koalicion me Partinë e themeluar nga Ibrahim Rugova.

Liburn Aliu, anëtar i Kryesisë së VV’së, ka thënë se përpos pozitës së Shefit të Shtetit kanë edhe dallime tjera me Partinë e Isa Mustafës.

Madje, ka deklaruar se janë larg një marrëveshjeje përderisa ka barrikadim të LDK’së përballë pozitave të caktuara.

“Marrëveshja nuk është afër por përpjekjet s’kemi me i ndalë, por afër nuk është. Kemi mosmarrëveshje sidomos të çështja e Presidentit, por ka edhe pika tjera, njëfar barrikadim pak i i tepruar është prej anës së LDK-së, ne kemi me insistu me u taku me bisedu”, ka thënë Aliu, në një bisedë për Express.

Sot, dy partitë kanë mbajtur takime të kryesive. LDK ka kërkuar kompromise nga VV’ja nëse dëshirojnë marrëveshje. Në Partinë fituese kanë thënë se s’ka marrëveshje përderisa Partia e dytë s’heq dorë nga pozita e Presidentit.

Pas mbledhjes së Kryesisë, Besian Mustafa, Zëdhënës i LDK’së, ka thënë se Vetëvendosje duhet të bëjë kompromis nëse dëshiron të bëjë koalicion me Partinë e themeluar nga Ibrahim Rugova.

Për sot është paralajmëruar edhe takimi i radhës mes Albin Kurtit dhe Isa Mustfaës në orën 16:00.

Liburn Aliu tha se pas këtij takimi shpreson që të ndërrojë diçka sa i përket arritjes së koalicionit për bashkëqeverisje mes dy partive.

“Po shpresojmë që pas takimit të sotëm ndoshta ndërron ndonjë gjë”, u shpreh anëtari i VV-së.