Lidhja Demokratike po i ofron Albin Kurtit pozitën e Presidentit dhe të Kryeparlamentarit nëse dëshiron ta lë pozitën e Shefit të Qeverisë.
Anëtari i Kryesisë së LDK’së, Imeri Ahmeti, thotë se Partia e Albin Kurtit mund të marrë dy pozitat tjera e të lë atë Kryeministrit.
“Nëse ju duket VV’së se çështja e Presidentit dhe Kryetarit të Parlamentit mund ta kërkojë Vetëvendosje të marrë këto pozita”, ka thënë Ahmeti, për Express, të shtunën.
Partia e Isa Mustafës po synon të marrë pozitat e rëndësishme në institucionet e Kosovës nëse arrijnë marrëveshje me Albin Kurtin për ndërtimin e Qeverisë.
Partia e Ibrahim Rugovës po synon të rikthehet në krye të Shtetit dhe të Parlamentit krahas pozitave që do t’i ketë në Qeverinë me 12 ministri.
Imri Ahmeti, njëri prej zyrtarëve të lartë të LDK’së, thotë se pashmangshëm në këtë fazë do të definohet edhe pozita e Presidentit dhe pozitave tjera që prekin qeverisjen katërvjecare. Në këtë kundërte, ai thotë se koalicioni s’mund të ndërtohet për qeverisje njëvjeçare.
“Ne nuk mund të mendojmë për një Qeverisje njëvjeçare. Nëse nuk e qartësojmë se çka do të bëjmë me Presidentit atëherë i bie që ne po bisedojmë për një qeverisje njëvjeçare”, ka thënë Ahmeti.
Një ditë më parë, Shefi i LDK’së, Isa Mustafa tha se në ditët në vazhdim do të ketë takim me Albin Kurtin për të definuar të gjitha pozitat që përfshijnë qeverisjen gjatë këtij mandati. Tha se do të definohet se kujt i takon kjo pozitë për të propozuar pastaj emrin e Shefit të Shtetit në fillim të vitit 2021.
Imri Ahmeti thotë se është e qartë se udhëheqës i Ekzekutivit do të jetë dikush nga VV’ja sikurse e njëjta pozitë do të jetë pjesë e negociatave për të ndërtuar institucionet shtetërore.
“LDK e di se Vetëvendosjes i takon pozita Kryeministrit. Por, pozita e Shefit të Qeverisë s’mund të jetë jashtë negociatave. Edhe çështja e Kryeministrit duhet të hyjë në barazvlerë me pozicionet tjera. Nuk mund të mbetet jashtë trajtimit të një marrëveshje ndërmjet dy subjekteve politike”, ka shtuar ai.
Kandidatja për Kryeministre nga LDK’ja, Vjosa Osmani, në Pressing, tha se pozita e Kryeministrit është sa katër ministri. Madje, tha se as Presidenti dhe Kryeparlamentari s’bëjnë sa pozita e udhëheqësit të Qeverisë.
Nënkryetari i VV’së, Besnik Bislimi, reagoi duke thënë se LDK’së do t’i jepet pushteti aq sa ka peshë politike.
Por, Imri Ahmeti thotë se dy partitë s’dallojnë shumë në fuqinë elektorale prandaj bën thirrje të mos ketë probleme për të lidhur koalicioni.
“LDK s’duhet të trajtohet me nënçmim. Partneriti duhet të shihet në afatgjatë. Nuk ka të definuar ende asgjë. Pesha jonë është gati e barabartë me Vetëvendosje. Është pak e shumë e njëjtë. S’duhet të krijohen probleme tash por duhet të punohet në ndërtimin e koalicionit”, ka thënë ai.
Është raportuar se LDK synon edhe pozita tjera në Qeveri përpos pozitës së Shefit të Shtetit dhe atë të Udhëheqësit të Parlamentit. Partia e Isa Mustafës po synon ta marrë nën udhëheqje Ministrinë e Punëve të Brendshme, Ministrinë e Jashtme, Ministrinë e Financave, Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik dhe Ministrinë e Arsimit.
Lëvizja Vetëvendosje dhe LDK s’kanë qeverisur asnjëherë. Janë kundërshtuar mes vete. Kur LDK ishte në pushtet, Vetëvendosje dhe Albin Kurti i ishin referuar Isa Mustafës si “njeri i Serbisë”. E kishin gjuajtur me ve, gazlotjsjellës dhe i kishin sulmuar në rrugë e shtëpi. Tash, Albin Kurti i referohet Isa Mustafës si profesor Mustafa. Kur kishin marrë pushtetin në Prishtinë, Vetëvendosje i kishin deponuar 70 dosje në prokurori për qeverisjen e LDK’së në Kryeqytet.