Kremtja e përvjetorit të Pavarësisë ka nisur me ngritjen e flamurit në Vlorë, aty ku 112 vjet më parë Shqipëria u shpall shtet më vete. Ceremonia bëri bashkë edhe kryeministrat Edi Rama e Albin Kurti. Liderë shtetërorë përçuan mesazhe për bashkim e për arritje të kombit shqiptar.
Dita e Pavarësisë së Shqipërisë ka bërë bashkë në kremte kryeministrat Edi Rama e Albin Kurti, raportet e të cilëve janë lënduar prej rreth dy vitesh.
Së bashku edhe me presidentin e Shqipërisë, Bajram Begajn, kryetaren e Kuvendit, Elisa Spiropali, ata morën pjesë në ceremoninë qendrore të ngritjes së flamurit në Vlorë, me rastin e përvjetorit të 112-të të Pavarësisë.
Më pas përshëndetën qytetarët, të cilët të shumtë në numër iu bashkuan festimeve për shënimin e 28 Nëntorit.
Në kremte, munguan fjalimet.
E, në rrjete sociale, kryeministri Kurti ka shkruar për kremten së bashku me liderët e Shqipërisë. Tha se synimi për arritjen e pavarësisë së Shqipërisë pati bërë bashkë edhe mendimtarë e veprimtarë patriotë, 112 vjet më parë.
“Na lanë një trashëgimi historike e detyrë kombëtare, që atdheun ta duam, ta mbrojmë, ta përparojmë. Sot e festojmë atë ditë, me shumë herë më pak vuajtje sesa në të kaluarën. E kemi më të lehtë sot të bëhemi bashkë, e të jemi bashkë. Sepse duhet të qëndrojmë bashkë. Për sa më shumë zhvillim e demokraci, mirëqenie e prosperitet për qytetarët tanë në Kosovë e në Shqipëri”, ka shkruar Kurti.
Për festën e Pavarësisë uruan edhe kryeministri Rama e edhe presidenti Begaj.
“Kudo ku janë bashkatdhetarët tanë, i ftoj nga Vlora e Pavarësisë që, në çdo angazhim që kanë e iniciativë që ndërmarrin, të kenë vetëdijen e vendosmërisë, bukurisë, sakrificës, e të çojnë përpara arritjet e Shqipërisë e kombit shqiptar”, ka uruar Begaj.
Flamuri i ngrit në Vlorë, e festimet kryesore u shënuan në kryeqytet.
Në Tiranë u bënë bashkë qytetarë nga pothuajse të gjitha trojet shqiptare.
Në Paradën e Shqiptarëve, parakaluan 350 grupe artistike nga 150 qytete të ndryshme ku jetojnë shqiptarët, përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara dhe vendet e Bashkimit Evropan.
Festa e Pavarësisë u shënua edhe me aktivitete të tjera kulturore në mbarë Shqipërinë.
Një pamje gjithnjë e më e zakonshme në ujërat e Gjirit të Orikumit është shfaqja…
Kryeministri britanik Sir Keir Starmer ka akuzuar miliarderin e teknologjisë Elon Musk se po përpiqet…
Ish deputeti i PD, Edmond Spaho ka reaguar ashpër për protestën kundër investimit në Zvërnec,…
Presidenti serb Aleksandar Vuçiç ka konfirmuar se do të marrë pjesë në samitin BE–Ballkani Perëndimor…
Katy Perry do të jetë njëra prej këngëtareve kryesore që do të përformojë në Festivalin…
Një efektiv i Policisë së Shtetit u vra dhe një tjetër u plagos gjatë një…