Disa deputetë dhe ish-deputetë të Parlamentit Europian i kanë dërguar letër kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.
Anëtarët e PE, Tanja Fajon nga Slovenia; Tonino Picula nga Kroacia, Andreas Schiender nga Austria; Evin Incir nga Suedia, Viola von Cramon-Taubadel nga Gjermani dhe Knut Fleckenstein, ish-anëtar i PE nga Gjermania, janë shprehur të shqetësuar për situatën politike në Kosovë pas mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë.
Ata kanë thënë se pasi të kalojë kriza e coronavirusit, zgjedhjet e reja mund të jenë rruga e duhur për të ecur përpara.
“Zgjedhjet e reja mund të jenë rruga e duhur për të ecur përpara në përputhje me Kushtetutën tuaj. Ne anëtarët e Parlamentit Europian jemi gjithmonë në anën e qytetarëve të Kosovës”, thuhet në letrën e tyre.
Të njëjtit e kanë falënderuar Kurti për heqjen e tarifës për mallrat e Serbisë dhe Bosnje Hercegovinës.
“Ne e kuptojmë që ky hap i nevojshëm tani duhet të inkurajojë disa shenja të vullnetit të mirë nga ana e Serbisë”, vazhdon letra.
Po ashtu, deputetët kanë trekuar që në vazhdimësi janë duke avokuar për liberalizimin e vizave.
“Pasi ne fuqishëm besojmë që e meritoni”, thuhet më tej në letër.
Deputetët kanë inkurajuar Kurtin që të vazhdojë luftën kundër çdo keqpërdorimi të krizës së coronavirusit.
“Kjo mund të japë vetëm argumente shtesë atyre që janë ende duke punuar kundër Kosovës”, përfundon letra.
Më poshtë mund të lexoni letrën e plotë të disa anëtarëve të Parlamentit Europian:
Letër e hapur për Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti
I dashur kryeministër Kurti,
Para së gjithash duam të shprehim solidaritetin tonë në luftën tuaj të vështirë kundër pandemisë së coronavirusit. Të gjithë jemi duke kaluar kohë të vështira, dhe është mirë të shohim që ju jeni duke ia dalur në mënyrë adekuate me situatën.
Qeveritë e shumë shteteve anëtare të Bashkimit Europian janë shprehur më 1 prill këtë vit si në vazhdim “Në këtë situatë të paprecedent, është legjitime që shtetet anëtare të marrin masa të jashtëzakonshme për të mbrojtur qytetarët e tyre dhe për të tejkaluar krizën. Ne jemi shumë të shqetësuar rreth rrezikut të shkeljes së parimeve të sundimit të ligjit, demokracisë dhe të drejtave themelore, të cilat janë duke u rritur që nga vendosja e masave emergjente.”
Duke qenë mbështetës të mëdhenj të parimeve të sundimit të ligjit dhe demokracisë, ne jemi shumë të shqetësuar për situatën politike në vendin tuaj pas mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë, dhe deklaratën e presidentit për interpretimet e mundshme kushtetuese. Askush nuk mund të keqpërdorë krizën aktuale për lojëra politike. Dhe ne ende shpresojmë që ka frymë bashkëpunimi në Prishtinë.
Ne po ashtu dëshirojmë t’iu falënderojmë për heqjen e tarifës për mallrat e Serbisë dhe Bosnje Hercegovinës. Ne e kuptojmë që ky hap i nevojshëm tani duhet të inkurajojë disa shenja të vullnetit të mirë nga ana e Serbisë.
I dashur kryeministër,
Ne jemi të bindur që Kosova ka nevojë për një qeveri funksionale, veçanërisht në këtë situatë krize. Pas kësaj krize, zgjedhjet e reja mund të jenë rruga e duhur për të ecur përpara në përputhje me kushtetutën tuaj. Ne anëtarët e Parlamentit Europian jemi gjithmonë në anën e qytetarëve të Kosovës.
Ne në vazhdimësi avokojmë për liberalizimin e vizave me Këshillin Europian për qytetarët e vendit tuaj, pasi ne fuqishëm besojmë që e meritoni. Dëshirojmë t’iu inkurajojmë juve që të vazhdoni luftën kundër çdo keqpërdorimi të krizës së coronavirusit. Kjo mund të japë vetëm argumente shtesë atyre që janë ende duke punuar kundër Kosovës.
Tanja Fajon, anëtare PE, Slovenia
Tonino Picula, anëtar i PE, Kroacia
Andreas Schiender, anëtar i PE, Austria