Mexhit Picari shkarkoi të gjithë karikatorin e pistoletës ndaj ish-dhëndrit të tij Kudret Aliaj duke lëshuar në drejtim të tij 8 plumba. 5 prej plumbave kanë kapur Saliajn në pjesën e gjoksit duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme, kurse njëri prej tyre ka kapur në bark avokatin Adriatik Cama, i cili pas ngjarjes telefonoi policinë duke mos u larguar nga tavolina ku po konsumonte kafenë me viktimën.
Menjëherë në vendin e ngjarjes arritën forcat e rendit që ishin pranë gjykatës së Tiranës duke bërë sigurimin e zonës. Cama është jashtë rrezikut për jetën dhe u largua me këmbët e tij nga lokali ku ndodhi ngjarja e rëndë edhe pse kishte një plumb në bark.
Njoftimi i policisë
Tiranë/Informacion paraprak
Rreth orës 11:50, në bulevardin “Gjergj Fishta” dyshohet se shtetasi M. P. ka vrarë me armë zjarri shtetasin K. S. ( ish-bashkëshortin e vajzës) dhe si pasojë e të shtënave është plagosur dhe shtetasi A. C., i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Shërbimet e Policisë vijojnë krehjen e zonës për kapjen e autorit të dyshuar, shtetasi M. P.
Janë ngritur pika kontrolli në hyrje dhe dalje të qytetit të Tiranës.
Grupi hetimor, në bashkëpunim me Prokurorinë, po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.