Kryeministri në detyrë në Mal të Zi, njëherësh kryetari i URA, Dritan Abazoviq njoftoi se kjo parti do të mbështesë kandidatin për president të Lëvizjes Evropa Tani, Jakov Milatoviq, në rundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale.
Abazoviq përgëzoi të gjithë pjesëmarrësit në procesin zgjedhor për korrektësinë e tyre politike dhe qasjen mjaft konstruktive në ditët e fundit, me theks të veçantë për Jakov Milatoviq, i cili ka mbështetje për një fitore në raundin e dytë, shkruan Vijesti.
E gjithë rrjedha e fushatës, dita e zgjedhjeve dhe shpallja përfundimtare e rezultateve të zgjedhjeve presidenciale, sipas Abazoviq, paraqet një fitore të madhe për demokracinë në Mal të Zi.
“Pa tensione, me retorikë pajtuese, në një fushatë të shkurtër dhe të relaksuar, Mali i Zi tregoi fytyrën e tij evropiane. Qytetarët pa frikë votuan për të preferuarit e tyre dhe thanë pa mëdyshje se duan president të ri”, ka thënë Abazoviq.
Zgjedhjet presidenciale të zhvilluara më 19 mars në Malin e Zi, nuk sollën fitues në raundin e parë.
Presidenti aktual, njëherësh kandidati Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS), Milo Gjukanoviq do të përballet në raundin e dytë me kandidatin e Lëvizjes Evropa, Jakov Milatoviq.
Gjukanoviq arriti të sigurojë 35.2% të votave, por ky rezultat ishte i pamjaftueshëm për të siguruar fitoren që në raundin e parë. Ndërkaq, rivali i Gjukanoviqit, Milatoviq ka siguruar 29.2% të votave.