Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti sot ka thirrur mbledhje korresponduese, ku janë emëruar bordet e reja të disa ndërmarrjeve publike – të Postës, Ujësjellësit ‘Prishtina’ dhe Infrakos’it.
Drejtor dhe kryesues i Bordit të Përkohshëm të ujësjellësit rajonal ‘Prishtina’, Qeveria Kurti e ka emëruar pikërisht një anëtar të saj.
Bëhet fjalë për Mentor Hysenin, i cili në zgjedhjet e 6 tetorit dështoi të marrë numrin e mjaftueshëm të votave, për t’u bërë deputet.
Por nuk është vetëm ky anëtar bordi me ngjyrime politike, i emëruar se fundi nga Qeveria në shkuarje e Albin Kurtit. Anëtar tjetër i VV-së, Artan Dermaku figuron të jetë emëruar anëtar i bordit të ndërmarrjes publike qendrore “Hekurudhat e Kosovës – Infrakos”.
Lidhur me këtë, ka pasur shumë reagime, e ndër to, edhe analisti Agron Demi, i cili thotë se mbushja e bordeve me anëtarë të partisë në pushtet, është degradim i ndërmarrjeve.
“Një ndër veprimet më të pështira të partive është mbushja e bordeve me anëtarë të partive në pushtet. Bordet duhet të shërbejnë për avancimin e ndërmarrjes, e jo për shlyerjen e borxheve të partive. Andaj, zëvendësimi i bordeve partiake me anëtarë të partisë tash në pushtet, është vetëm vazhdim i degradimit të ndërmarrjeve me metoda të njëjta, përmes emrave të rinj”, ka shkruar Demi.