Xhudisti kosovar, Akil Gjakova, ndaj të cilit kanë nisur hetimet për dhunë në familje pas denoncimit të gruas së tij, me të cilën janë në proces divorci, nuk ka të kaluar kriminale. Gjakova nuk është recidivist i asnjë vepre penale, siç u raportua dje në media.
Sinjali ka siguruar ekskluzivisht dosjen e të kaluarës të Gjakovës, ku vërtetohet një gjë e tillë.
Sipas dosjes, rezulton se i njëjti ka vetëm kundërvajtje trafiku dhe nuk ka asnjë rast qoftë për veprën penale dhunë në familje apo ndonjë vepër tjetër.
Në media dje u raportua se Prokuroria Themelore në Pejë ka kërkuar masën e paraburgimit ndaj xhudistit, ku mes tjerash thuhej se “Akil Gjakova është recidivist, dhe se ai e ka gënjyer Policinë dhe se ai mund të arratiset.”
Vërtetimi të cilin e posedon Gazeta Sinjali e demanton se Gjakova është përfshirë në të kaluarën në ndonjë veprimtari të kundërligjshme.