POLITIKE

Akuza të renda nga gazetari Bushati, thotë se një grusht ish komandantësh janë sjellë më keq se Arkani me Kosovën

Nga Andi Bushati

Historia e bukur e protestave studentore të majit ’68 në Paris dhe në të gjithë Francën ka lënë trashëgim, mes shumë të tjerave, edhe një sllogan që është marrë dhe rimarrë disa herë më pas: “Election, piges à cons”. Kësaj parrulle, pra se zgjedhjet janë një kurth për budallenjtë, mbi të cilën kanë filozofuar nga Sartri e deri tek Alën Badiu, i kushtoi disa vite më pas një skeç të famshëm humoristi i ndjerë francez, Kolysh: “Nëse votimet do të ndryshonin diçka, ato do të ishin të ndaluara prej kohësh”, thoshte ai.

Në mënyrë më banale dhe më vulgare, kjo fabul e parathënë që shekullin e shkuar, është përsëritur edhe në Kosovë. Vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese, i cili ka noterizuar zhbërjen e vullnetit të 6 tetorit, është një provë më shumë se, sido që të votojë populli, në fund është një kastë ajo që vendos.

Është e kotë pas kësaj të kalamendesh, nëse gjykatësit kushtetues të Prishtinës kanë të drejtë apo jo kur thonë “njëzëri” se triumfi i një mocioni nuk çon automatikisht në zgjedhje, nëse ata janë në mirëbesim kur teorizojnë mbi afatet e fillimit dhe fundit të kohës së një mandatari, për të paraqitur një kabinet qeverisës.

Është gjithashtu e pafrytshme të fillosh e të qëmtosh se si përkonin deklaratat e kushtetueses me ato të presidentit dhe se si, në rrethana të tjera dikur, Gjykata kishte bërë interpretime të ndryshme.

Morali i kësaj fabule është i thjeshtë: një pakicë dominante nuk do ta lëshojë pushtetin, cilido që të jetë vullneti i shumicës së popullsisë për këtë.

Në këtë kuptim, çertifikimi që në prag mesnate iu bë në rrugë gjyqësore një grushti shteti të nisur më parë, nuk është një goditje as ndaj Vetvendosjes, as ndaj Albin Kurtit. Ai përbën mbi të gjitha një përdhosje të aspiratave të atyre që votuan në fillim të tetorit.

Ai është konfirmimi se një grusht ish komandantësh, që shpesh janë sjellë me këtë vend më keq se Arkani, vazhdojnë ta shohin atë si një tokë për të bërë plaçkë lufte.

Ai është konfirmimi se klani Pronto nuk ka ndërmend t’i lëshojë me asnjë çmim, postet nevralgjike dhe pasuruese të shtetit.

Ai është konfirmimi se kjo klikë mund të bëjë aleancë me çdo gangster ndërkombëtar, për të vazhduar të qëndrojë në pushtet.

Ai është konfirmimi se ata janë të gatshëm të falin territore, të pranojnë trajtim jo reciprok nga Serbia, vetëm që të vegjetojnë në kolltukët e tyre.

Ai është konfirmimi, se ata mund të dorëzojnë lehtësisht dinjitet, fytyrë, premtime para zgjedhësve, vetëm për të mos hequr dorë nga e drejta për të bërë tendera dhe ndarë përfitime.

Natyrisht edhe Albin Kurti edhe Vetëvendosja kishin mundësi dhe dinin t’i bënin këto. Por ata bënë një zgjedhje, nuk kërkuan një zgjidhje.

Edhe ata, mundeshin t’i firmosnin Rik Grenellit mbi një fletë të bardhë, që të bënte ç’të donte me dialogun dhe kufijtë e Kosovës. Por ata vendosën shtetin para pushtetit.
Edhe ata dinin të joshnin me favore, punësime familjarësh, para publike, ndonjërin nga ata deputetë që rrëzuan qeverinë vetëm pas 45 ditësh, por ndonëse kjo është një praktikë pothuajse e zakonshme në Ballkan, me kabinetin Kurti një gjë e tillë nuk ndodhi.

Edhe ata dinin të joshnin me njëmijë e një mënyra që të ofron pushteti, ndonjërin nga anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, por këta të fundit votuan “njëzëshëm” në favor të atyre që i kanë instaluar prej kohësh këto marrëdhënie klienteliste.

Pra, Albin Kurti nuk është se nuk e kishte para vetes opsionin për t’u servilosur ndërkombëtarisht, për të korruptuar lokalisht, në emër të mbajtjes me çdo kusht të pushtetit. Por mes saj dhe qëndrimit besnik ndaj mandatit që i kishin dhënë votuesit, ai respektoi virtytshëm të dytën.

Prandaj, të gjitha akuzat për mospasjen e përvojës, mungesën e elasticitetit, arrogancën dhe paaftësinë për të ndarë pushtet, si shkaqe që sollën rrëzimin e qeverisë, janë foshnjarake në argumentim dhe të sforcuara në logjikë.

Albinin dhe ata që e ndoqën në aventurën e pafat të një transformimi radikal, i përmbysën vetëm për një shkak: se ata këmbëngulën deri në fund për t’i qëndruar besnikë vullnetit të zgjedhësve, që binte katërcipërisht ndesh me interesat e kastës në Prishtinë.

Në këtë kuptim, ata që e kryen këtë puç, nuk i kanë borxh as Albin Kurtit dhe as Vetëvendosjes, ata ia kanë atë popullit të tyre.

Tani raporti nuk është më mes atyre që ranë dhe atyre që po ringrihen, por mes qytetarëve të nëpërkëmbur, të indinjuar, të revoltuar, të cilëve u lind e drejta që të bëjnë gjithçka për të rikthyer në vend dinjitetin e tyre.

Tani radhën e kanë ata. Për të treguar se nuk janë një kope delesh që i shpien më kot para kutive të votimit. Për të dëshmuar se ka një pjesë të shoqërisë kosovare, që zgjedhjet nuk i sheh si kurth për budallenjtë.


FM IMAGES

FM IMAGES ALBANIA - Copyright © 2025 e-mail: info@fmimages.net. All Rights Reserved.

Recent Posts

  • POLITIKE

Pas Greqisë, tani edhe Turqia kundër Shqipërisë

Sipas gazetarit dhe analistit turk İbrahim Karagül, zhvillimet e fundit rreth Ishullit të Sazanit nuk…

6 orë ago
  • KRYESORE

Përshkallëzohet tensioni në Gjirin Persik, Irani sulmon bazat amerikane me raketa balistike

Irani ka lëshuar raketa balistike drejt bazave ushtarake amerikane në Kuvajt dhe Bahrejn, pasi Shtetet…

16 orë ago
  • FOTO&VIDEO

Propaganda pro-iraniane në protestat për Zvërnecin? Video “Lego” me AI paraqesin Shqipërinë si pjesë të rezistencës kundër Izraelit

Në rrjetet sociale kanë nisur të qarkullojnë video të prodhuara me inteligjencë artificiale, në stilin…

16 orë ago
  • KRYESORE

Izraeli dërgoi trupa në Azerbajxhan gjatë luftës me Iranin si pjesë e një rrjeti sekret në të gjithë rajonin

Izraeli vendosi fshehurazi njësi elitare ushtarake dhe të inteligjencës në Azerbajxhan gjatë luftës me Iranin,…

21 orë ago
  • KRYESORE

Hovenier: Nëse Kosova s’i përgjigjet ofertës së Trumpit për gazin, SHBA-ja mund të humbasë interesin për të

Ish-ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, ka deklaruar se administrata e presidentit Donald Trump ka…

1 ditë ago
  • POLITIKE

Rama: Protestat për Zvërnecin janë “luftë hibride”, po përdoren nga armiqtë e Shqipërisë dhe Izraelit!

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar në një intervistë për Euronews se protestat kundër projektit të…

1 ditë ago