Teksa Presidenti rus, Vladimir Putin mbante fjalimin e tij për Ditën e Fitores në Moskë, nga ana tjetër, në Ukrainë, Presidenti Volodymyr Zelensky ka publikuar mesazhin e tij. Ai ka thënë se ukrainasit po luftojnë për lirinë e fëmijëve të tyre, ndaj ata duhet të fitojnë.
“Ne nuk do e harrojmë atë që bënë paraardhësit tanë në Luftën e Dytë Botërore, që vrau më shumë se 8 milionë ukrainas. Shumë shpejt do të ketë dy Ditë Fitore në Ukrainë dhe dikush nuk do të ketë asnjë. Ne fituam atëherë, do të fitojmë edhe tani. Gëzuar Ditën e Fitores mbi Nazizmin”, deklaroi Zelensky.
Kjo deklaratë vjen në një kohë që Putin tha se operacioni i tyre ushtarak në Ukrainë, siç e quan ai, ishte ai i duhuri.
Ai gjithashtu sulmoi edhe NATO-n, duke thënë se ata nuk po i dëgjonin dhe donin të vendoseshin shumë pranë kufirit të tyre. Ai këtë e cilësoi si një kërcënim të hapur për Rusinë.