Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, është takuar sot me Vjosa Osmanin, kandidaten e LDK-së për kryeministre. Ky takim i tyre po vjen në kohën kur nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, është emëruar si pjesë e grupit punues, derisa ka paralajmëruar pozitën e presidentit si pjesë të marrëveshjes.
Takimin me Osmanin e ka bërë të ditur përmes një shkrimi në Facebook, lideri i VV-së, Albin Kurti.
Kurti ka shkruar se me Osmanin kanë biseduar për përgatitjet për qeverinë e re dhe sfidat që po i presin.
“Bashkë me Vjosën biseduam sot për përgatitjet për qeverisjen e re dhe sfidat që na presin. Kosova do të dalë nga kriza dhe do të përparojë. Bashkëpunimi ynë është përkushtimi ynë. Qëllimet e mira dhe punët e mbara janë përgjegjësi e jona ndaj qytetarëve të Republikës dhe institucioneve të shtetit”, ka shkruar Kurti.