Amarildo Bakaj nuk di të ndalet, detyron ganezin që të dorëzohet

Këtë të dielë boksieri shqiptar Amarildo Bakaj ia ka dalë të sigurojë fitoren e 12-të në boksin profesionist. Lezhjani mposhti në “Harrow Leisure Centre” të Londrës rivalin nga Gana, Mawuli Folivi.

Gjithçka zgjati katër raunde dhe u desh një grusht kampioni që Bakaj të rikthente gjithçka në favor të tij, për të fituar edhe këtë duel. Duhej raundi i katërt (1 minutë e 39 sekonda) që Amarildo të godiste fort dhe të bënte që ekipi i ganezit të hidhte flamurin e bardhë të dorëzimit në ring.

Paçka se e nisi ndeshjen jo mirë dhe rivali po kryesonte me pikë, Amarildo Bakaj përmbysi gjithçka me një grusht, duke shprehur lumturinë pas përballjes.

“Kundërshtari ishte i fortë, e dija. Prita deri në momentin e fundit për ta befasuar, ia dola. Jam 25 vjeç dhe kam ëndrra të mëdha në këtë sport, ia lë Zotit dhe ai e di se çfarë dua. Kam dëshirë të bëj krenar shqiptarët.

Në raundet e para rivali ishte para me pikë, prita dhe doja një grusht, si sniper që ta hidhja në tokë. Dua të falenderoj shqiptarët, i jam borxhli që kanë ardhur kanë mbushur arenën në Londër“, tha Bakaj.