Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, tha se Asociacioni i komunave me shumicë serbe është pjesë e dialogut nga viti 2013 dhe se do të dizajnohet ashtu si do të përcaktohet nga të dyja palët në negociata. Ai tha se po bisedohet për organizimin e një takimi të ri mes Vuçiqit dhe Kurtit së shpejti dhe shtoi se do të jetë një mundësi për të sqaruar disa gjëra.
“Asociacioni i komunave me shumicë serbe është pjesë e dialogut të Brukselit që nga viti 2013 dhe duhet të formohet në mënyrë që komuniteti serb, kryesisht në veri të Mitrovicës, të shohë se si do të jetë e ardhmja e tij. Mendoj se tani po shikojnë shumë modele që janë në përputhje me standardet evropiane”, tha Hill për Pink TV, raporton “N1“.
I pyetur se cili është afati për formimin e Asociacionit, nëse është periudha para apo pas zgjedhjeve lokale në katër komunat në veri të Kosovës, Hill tha se “nuk mund të flas për afate kaq të shkurtra” dhe shtoi se i dërguari special amerikan për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar “foli për disa afate të gjata dhe se gjithçka mund të përfundojë deri në fund të vitit 2023”.
“Por mendoj se duhet të përpiqemi të ecim shpejt, të sigurojmë që të respektohen interesat e komunitetit serb në Kosovë”, tha diplomati amerikan.
Negociatat në Ohër më 18 mars, kur presidenti serb Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti arritën një marrëveshje gojore për aneksin e zbatimit të Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve, Hill i vlerësoi si “shumë të suksesshme”.
“Mendoj se kanë bërë përparim. Do të doja të shihja disa gjëra më konkrete, por mendoj se po ecim shumë qartë drejt zbatimit të këtij procesi të dialogut. Duhet ende shumë për të bërë, veçanërisht në artikulimin se si do të duket Asociacioni, kjo është një çështje kyçe”, shtoi ai.
Hill tha se po bisedohet për organizimin e një takimi të ri mes Vuçiqit dhe Kurtit së shpejti dhe shtoi se do të jetë një mundësi “për të sqaruar disa gjëra”.
Ai tha se gjëja më e rëndësishme për SHBA-në në Ballkanin Perëndimor janë marrëdhëniet e mira ndërmjet shteteve dhe shtoi se Uashingtoni për këtë arsye e mbështet fuqishëm nismën e Ballkanit të Hapur, si dhe të gjitha iniciativat e tjera rajonale.
“Duhet të ketë dukshëm më shumë iniciativa rajonale në mënyrë që të krijohen modele më të mira bashkëpunimi mes vendeve të Ballkanit Perëndimor. Dhe çështja e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës është pjesë e procesit të integrimit rajonal”, tha Hill.
Lidhur me marrëveshjen në Ohër, me të cilën Aneksi i Zbatimit të Marrëveshjes u bë pjesë detyruese e rrugës evropiane të të dyja palëve, Hill tha se Serbia duhet ta ngrejë çështjen e Kosovës “në kontekstin e aspiratave të saj për hyrje më të shpejtë në BE”.