Ambasadori i Rusisë, Kharchenko: Serbia na ka zhgënjyer

Ambasadori i Federatës Ruse në Serbi, Aleksandar Bocan Kharchenko, në një intervistë në televizionin N1 ka thënë se Bashkimi Evropian po e detyron Serbinë të vendosë sanksione ndaj Rusisë.

“Disa hapa na kanë zhgënjyer, e kam fjalën për rezolutën e OKB-së. Duke mbajtur një marrëdhënie miqësore, ne po kërkojmë dhe kuptojmë arsyen e vërtetë përse”, pohoi Bocan Kharchenko, duke shtuar se lëvizja e Beogradit ishte pasojë e presionit nga Perëndimi.

Ambasadori rus potencoi se ato nuk po ndryshojnë raportet me Serbinë, pavarësisht disa hapave të ndërmarra nga Serbia, si votimi për rezolutën e Kombeve të Bashkuara kundër pushtimit të Ukrainës.

“Do të ishte marrëzi të thuash se nuk na intereson. Jemi të zhgënjyer, por e kuptojmë shumë mirë arsyen pse Serbia duhej të votonte në atë mënyrë. Për shkak të presionit të pabesueshëm nga Perëndimi përtej çdo kufiri të kuptueshëm. Ajo është e detyruar”.

I pyetur për qëndrimin e Rusisë ndaj Kosovës dhe deklaratën e presidentit Vladimir Putin, ambasadori tha se në një bisedë me sekretarin e përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, ka përmendur vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për të vënë në dukje edhe një herë standardin e dyfishtë të Perëndimit.

Kharchenko, theksoi po ashtu se njohja e Kosovës do të ishte në kundërshtim me Rezolutën 1244.

Duke folur për anulimin e vizitës së ministrit të Jashtëm të Rusisë, Sergei Lavrov në Beograd, ai theksoi se do të kishte qenë edhe më mirë për Serbinë po të kishte ardhur Lavrov.

“Kjo vizitë do të forconte pozitën e Serbisë. Do të ishte një mundësi e shkëlqyer për të diskutuar për projektet më të rëndësishme të bashkëpunimit tonë. Lavrov do të kishte mundësinë të shprehte qëndrimin e tij për Kosovën dhe Republikën Srpska drejtpërdrejt nga këtu”, shtoi diplomati rus.

Ai shtoi se vizita ishte penguar nga “jashtë” dhe se “atyre nuk u intereson që Serbia udhëheq dhe zbaton një politikë të jashtme të pavarur”.

“A mund ta imagjinoni se dikush nga Rusia do të thoshte se vizita e Scholz-it apo në çdo kohë është për të ardhur keq për marrëdhëniet tona. Është e pamundur të imagjinohet një deklaratë e tillë”.