Ambulanca për Ukrainën po prodhohen edhe në Shqipëri

Solidariteti në gjithë botën për kauzën e Ukrainës nuk është e fshehur në asnjë çast nga vendet perëndimore apo edhe vendet më të vogla, ku çdo ndihmë, në çfarëdo lloji forme apo sasie, është e mirëpritur.

Ndërsa kemi parë se miliarda të tëra shpërndahen në botë për popullin ukrainas nga vendet e mëdha, ndihma nuk ka munguar as nga Shqipëria. Jo vetëm ajo monetare, por edhe një ndihmë më konkrete.

Së fundmi, ka qarkulluar lajmi se disa ambulanca po prodhohen pikërisht në Tiranë, me synim dërgimin drejt Kievit apo qyteteve të tjera, të cilat janë të prekura nga agresioni rus.

Albanian Post, ka arritur ta vërtetojë këtë lajm, duke sjellë edhe detaje mbi gjithë nismën.

Bëhet fjalë për kompaninë Timak me seli në Kashar, prej ku na kanë vërtetuar se 11 mjete të llojit ambulancë janë në proces prodhimi në ambientet e tyre dhe po bëhen gati për dërgimin në Ukrainë brenda pak ditëve.

Menaxherja operacionale e kësaj kompanie, Manjola Kasneci, ka bërë me dije për Albanian Post se transferta pritet më konkretisht të ndodhë brenda dy javëve në vijim.

Ndërsa, në bisedime, janë edhe mbi mjete të tjera, të cilat do të arrihet të prodhohen me ndihmën e organizatave të huaja humanitare. Destinacioni, është sërish në Ukrain[, për të ndihmuar qytetet më të prekura.

Ashtu siç vihet re edhe nga pamjet e publikuara, ambulancat ndodhen në fabrikë dhe po kryehen veprimet e fundit përpara dërgesës.

“Është një prodhim i gjithi ‘Made in Albanian’”, shpjegon më tej Kasneci.

Ndoshta kuota e ndihmës për të cilën flitet është e ulët krahasimisht me nevojat e vërteta që Ukraina ka momentalisht.

Por, në fund të ditës, është veprimi, ai i cili ka rëndësi.

Ose, siç do ta thoshte vetë presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, gjatë adresimit të tij përballë Parlamentit të Shqipërisë: Ka popuj të mëdhenj që nuk e tregojnë veten sa duhet, por ka edhe popuj të vegjël, me zemër të madhe.

Pikërisht Shqipërinë, ai e radhiti mes këtyre vendeve të dyta dhe me dërgesën e ambulancave shqiptare në Ukrainë, një opinion i tillë do të përforcohet edhe më tej.