Analistët: Rebelët sirianë qasje të ngjashme me Talebanët në arenën ndërkombëtare

Ndërkohë që komuniteti ndërkombëtar po vendos kushte për pushtetin e ri në Siri, grupi kryesor rebel po ndjek një qasje bashkëpunuese, të ngjashme me atë të Talebanëve në Afganistan, në përpjekjet për të siguruar njohjen ndërkombëtare, thonë analistët. Ahmed al-Sharaa, i njohur gjithashtu si Abu Mohammed al-Golani, udhëheqësi i grupit “Hayat Tahrir al-Sham” apo “HTS”, u takua me të dërguarin special të OKB-së për Sirinë të dielën dhe theksoi nevojën e një “bashkëpunimi të shpejtë dhe efektiv” për rindërtimin e ekonomisë së Sirisë dhe ruajtjen e integritetit të saj territorial.

Në një intervistë për gazetën nga Londra, “The Times”, al-Jolani tha se territori sirian nuk do të përdoret kundër asnjë vendi fqinj, përfshirë Izraelin. Asfandyar Mir, ekspert i çështjeve ndërkombëtare në Institutin Amerikan të Paqes me seli në Uashington, i tha Zërit të Amerikës se “HTS” përcolli “një mesazh bashkëpunues”, të ngjashëm me atë që Talebanët ofruan pas marrjes së pushtetit në 2021, duke “pozicionuar veten në politikën rajonale në një farë mënyre, që nuk do të provokonte vendet e rajonit dhe fuqitë globale”.

Pas marrjes së pushtetit në gusht të vitit 2021, Talebanët u përpoqën të siguronin vendet fqinje dhe fuqitë rajonale se grupi nuk do të lejonte askënd që të përdorte Afganistanin për operacione kundër ndonjë vendi tjetër.

Por OKB-ja tha në korrik se ndërsa Talebanët pretendojnë se nuk ka grupe të huaja terroriste në Afganistan, vendet e saj anëtare raportuan se dhjetëra grupe terroriste po vepronin brenda vendit. Ai shtoi se “HTS” mësoi nga përvoja e Talebanëve në shmangien e armiqësive jashtë shtetit “duke u përpjekur t’i sigurojë ato se ne nuk kemi asnjë konflikt me ju”, thotë eksperti Mir.

Ai theksoi se fuqitë globale dhe rajonale kanë synime relativisht të moderuara lidhur me rebelët në Siri, “por ato do të vëzhgojnë për një kohë të caktuar veprimet e grupit HTS.”

Rebelët sirianë, të udhëhequr nga grupi “HTS”, filluan një ofensivë kundër forcave të ish-presidentit Bashar al-Assad më 27 nëntor në provincën veriore të Idlibit dhe pas pushtimit të disa qytete strategjike, morën edhe kontrollin e kryeqytetit të vendit, Damaskut, 11 ditë më vonë.

Shtetet e Bashkuara mirëpritën deklaratat ‘shpresëdhënëse’ të rebelëve, por thanë se “ne do t’i gjykojmë ata bazuar në veprimet e tyre”.

“Vendimet mbi qëndrimet tona për sanksionet, njohjen dhe çështje të tjera do të bazohen në veprimet e grupit HTS dhe aktorëve të tjerë në terren”, tha të hënën Mathew Miller, zëdhënës i Departamentit të Shtetit, në përgjigje të një pyetjeje nga Zëri i Amerikës.

Një diplomat i lartë i BE-së tha të dielën se Bashkimi Evropian nuk do të heqë sanksionet ndaj Sirisë përpara se drejtuesit e rinjë të vendit të japin garanci për mbrojtjen e pakicave, të drejtat e grave dhe luftimin e terrorizmit.

Komuniteti ndërkombëtar kërkoi garanci të ngjashme nga Talebanët pasi grupi mori pushtetin në Afganistan në gusht të vitit 2021.

Komuniteti ndërkombëtar kërkoi nga Talebanët respektimin e angazhimeve për të luftuar terrorizmin, formimin e një qeverie gjithëpërfshirëse dhe respektimin e të drejtave të njeriut, veçanërisht të drejtat e grave, përpara njohjes si qeverisë legjitime e Afganistanit.

Asnjë vend nuk i ka njohur ende zyrtarisht talebanët, megjithëse shumë vende kanë vendosur marrëdhënie diplomatike me qeverinë talebane.

Colin Clarke, nga organizata ‘The Soufan’ i tha Zërit të Amerikës se politika e Shteteve të Bashkuara ndaj Sirisë ndikohet nga përvoja e saj në Afganistan. “Unë mendoj se kjo ndihmon shumë për atë që ata bëjnë në aspektin e politikës së jashtme”, thotë zoti Clarke.

Ai tha se ka “shumë ngjashmëri” mes mënyrës se si talebanët dhe grupi i rebelëve ‘Hayat Tahrir al-Sham’ (HTS) e paraqesin veten. “Përpjekja është të duken më pragmatikë, më të moderuarë, duke u distancuar nga ideologjia më xhihadiste”, shtoi ai.

Zoti Clarke tha se megjithatë pyetja që shtrohet është nëse HTS-ja do të mbetet e moderuar.

Ai tha se ekzistojnë shqetësime për militantët e huaj, veçanërisht ata nga Azia Qendrore, brenda grupeve rebele.

“Ata mund të devijojnë ose të ndahen nga grupet, ose mund t’u bashkohen grupeve të tjera si Shteti Islamik, sepse ata mund ta shohin të gjithë këtë projekt qeverisës si një veprim të pashpresë”, shtoi ai.

OKB, Shtetet e Bashkuara, Turqia dhe shumë vende të tjera e kanë përcaktuar HTS-në si organizatë terroriste.

HTS është “një koalicion i grupeve kryengritëse islamike sunite me bazë në pjesën veriore të Sirisë që u ndanë nga Jabhat al-Nusrah, ose ‘Fronti Nusrah’, ish-dega e al-Kaidës në Siri”, thuhet në faqen e internetit të Qendrës Kombëtare Kundër Terrorizmit, agjencia amerikane që përgjegjësinë kryesore e ka të bëjë analiza të informacioneve mbi terrorizmin ndërkombëtar.

Në vitin 2013, Departamenti amerikan i Shtetit e futi ‘al-Sharaan’ në listën e terroristëve globalë. Shtetet e Bashkuara ofruan shpërblim deri në 10 milionë dollarë për informacion që do të çonte në arrestimin e tij.

Pavarësisht se talebanët nuk janë caktuar si grup terrorist nga Departamenti i Shtetit, ‘Haqqani’, që tani është pjesë e qeverisë së talibanëve, është ndër grupet që Shtetet e Bashkuara e kanë përcaktuar si terroriste.

Analisti Clarke tha se ai mendon se rebelët sirianë do të njihen më shpejt se talebanët, sepse ata përfaqësojnë “një fenomen më të ri dhe nuk kanë një të kaluar aq të gjatë rënduese”.

Merissa Khurma, drejtore e Programit për Lindjen e Mesme në qendrën ‘Wilson’, me bazë në Uashington, tha se është “shumë e vështirë” të krahasohen rebelët sirianë me talebanët.

“Rebelët në Siri, çliruan popullin nga një regjim brutal. Në Afganistan u rikthye në pushtet një regjim brutal”, tha zonja Khurma.

Por tha ajo, në të dyja rastet, qeveritë kundër të cilave luftuan këto grupe vuanin nga pakënaqësia e madhe që banorët e vendit kishin ndaj tyre.

“Ishte e qartë se të dyja qeveritë po shkatërroheshin”, tha ajo.

Korrespondentja e Zërit të Amerikës Nike Ching dhe gazetarja e shërbimit afgan të Zërit të Amerikës Zheela Noori kontribuan në realizimin e këtij artikulli.