Shërbimi i kafesë pa vënë maskë ishte shkak që anëtari i Vetëvendosjes në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Sami Kurteshi, ta sulmonte Adnon Berishën, thuhet në aktakuzë. Në shqyrtimin fillestar të mbajtur të enjten në Prishtinë, Kurteshi mohoi sulmin. Rasti ndodhi në kohë të pandemisë
Sami Kurteshi, anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, është deklaruar i pafajshëm në akuzat e Prokurorisë për sulm, në shqyrtimin fillestar të mbajtur të enjten në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Ai akuzohet se e ka sulmuar punonjësin Adnon Berisha më 2021, në kohën e masave kufizuese të COVID-19.
Në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Themelore të Prishtinës, ai e sulmoi Berishën, meqë nuk kishte vënë maskë teksa ia shërbeu kafen.
“Jo, se s’ka vepër (penale v.j)”, u përgjigj Kurteshi në pyetjet e gjyqtarit Sabit Sadikaj nëse e ndihet apo jo fajtor.
Pas deklarimit, gjyqtari Sadikaj ia dha 30 ditë kohë Kurteshit për të kundërshtuar provat e aktakuzën.
“Keni të drejtë të parashtroni kërkesë për kundërshtimin e provave dhe hedhje të aktakuzës. Nëse brenda këtij afati ligjor paraqitni kërkesë, gjykata këtë kërkesë e shqyrton jashtë seancës dhe merr vendim, vendos lidhur me këtë kërkesë. Nëse e njëjta nuk paraqitet, konsiderohet që keni hequr dorë dhe caktohet seanca e shqyrtimit kryesor”, tha Sadikaj.
Gjyqtari po ashtu e pyeti të dëmtuarin Berisha nëse e ndien veten të dëmtuar.
“A mendoni se ju është bërë dëm? Keni të drejtë të parashtroni kërkesë për kompensim dëmi. A parashtroni apo jo?”, pyeti Sadikaj.
E Adnon Berisha u shpreh se do t’i kërkojë të drejtat e tij gjatë gjykimit dhe se vazhdon ta ndiejë veten të dëmtuar.
Në këtë rast ka dështuar ndërmjetësimi dhe për pasojë shqyrtimi i lëndës është kthyer në pikën zero, atë të shqyrtimit fillestar. Në aktakuzën e dhjetorit të 2021-tës të ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë thuhet se më 25 gusht të atij viti, Berisha i shërbeu kafe dhe me atë rast Kurteshi e pyeti “ku e ke maskën”. E pasi nuk i dha përgjigje, Kurteshi e shtyu nga mbrapa me dy duart, duke i thënë “dil jashtë”.
Kurteshi e ka drejtuar Institucionin e Avokatit të Popullit në periudhën 2009-2015. Më pas ai aderoi në Vetëvendosje duke marrë edhe mandat deputeti që e mbajti dy vjet (2017-2019).
Në zgjedhjet e tetorit të 2019-s ai nuk mori votat e mjaftueshme për t’u bërë deputet, por Vetëvendosja ia besoi pozitën e anëtarit në KQZ. Këtë pozitë e mban nga 6 shkurti 2020.
Irani ka njoftuar se ka pezulluar operacionet ushtarake kundër Izraelit, por ka paralajmëruar se do…
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbajtura dje në Kosovë kanë regjistruar pjesëmarrjen më të ulët…
Numërimi i afrohet 100 përqëindëshit: LVV 43,03 %, PDK 21.21 %, LDK 17.68 % dhe…
Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të prijë në rezultatet preliminare të procesuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve…
Sot në Kosova janë mbajtur zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare. Lidhur me këtë, është publikuar Exit…
Pamje të nxjerra jashtë kontekstit, imazhe të krijuara me Inteligjencë Artificiale dhe narrativa gjeopolitike u…