Antalia është kthyer në “arenën” e tensioneve mes rusëve e ukrainasve, “The Times” sjell dëshmi nga bregdeti turk

Pesë muaj që kur Rusia agresionin e saj në Ukrainë, bregdeti turk i Antalias është bërë aksidentalisht një terren testimi për një eksperiment të çuditshëm social: çfarë ndodh kur mijëra rusë dhe ukrainas pushojnë në të njëjtin vend?

Përgjigja, me sa duket, është një lloj lufte e ftohtë, ku të dyja palët mbajnë një qëndrim të akullt ndaj njëra- tjetrës që herë pas here eskalon edhe në situata të tensionuara.

Një nënë ukrainase thotë se kur sheh që fëmijët e saj janë duke luajtur me moshatarët e tyre të familjeve ruse, i largon ata duke u përpjekur që të shmangë ndërveprimin me prindërit.

Rast tjetër është ai i një depilueseje e cila refuzon që të pranojë klientë rusë, ndërsa një konsulente financiare mban një fjongo të flamurit ukrainas në çantën e saj, në mënyrë që rusët të qëndrojnë larg saj.

Ukrainasit kanë sabotuar edhe bizneset ruse në Turqi.

“Unë nuk do të shkoja në një sallon rus. Ne nuk duam t’u japim para, thjesht i shmangim ato”, tha Olha Tsos, 28 vjeç, një grimiere nga Kievi, e cila erdhi në Antalia dy ditë para fillimit të luftës.

Që nga fillimi i luftës, mijëra ukrainas dhe rusë janë shpërngulur në Antalia, duke iu shtuar afro 40,000 që jetonin tashmë këtu. Shumë prej tyre janë me viza turistike.

Ardhja e tyre ka kontribuar në rritjen e qirave të nxitura nga inflacioni, të cilat në disa zona janë dyfishuar.

Ndërsa nuk ka pasur pothuajse asnjë agresion të hapur të rusëve dhe ukrainasve në Turqi, përveç një përleshjeje në bar midis polakëve dhe rusëve në qytetin turistik të Alanya për luftën në Ukrainë, atmosfera ndonjëherë është bërë jashtëzakonisht e tensionuar.

Në maj, një grup rusësh shkuan në një koncert në ambient të hapur ku fëmijët ukrainas po këndonin dhe filluan të qortonin organizatorët.

“Ata filluan të pyesnin pse po këndonin në gjuhën ukrainase dhe jo në rusisht? ‘A keni leje për të organizuar koncertin? Kush ua dha? Por nuk ishte diçka politike, ishin vetëm disa fëmijë që këndonin”, tha një nga organizatorët.

Ndonëse ukrainasit janë vendosur në Turqi për t’i ikur luftës, edhe rusët e kanë parë këtë shtet si shpëtim. Kjo pasi janë zhvendosur në Turqi për të shmangur rekrutimin në ushtri e për tu dërguar më pas në luftë, ndërsa të tjerë për të shmangur ndikimin e sanksioneve.

Edhe pse në mërgim, lufta nuk është kurrë larg tyre. Një shitëse ruse tha se ajo fliste vetëm anglisht në publik, kështu që njerëzit nuk e dinin se nga ishte. Një tjetër tha se mendonte se ukrainasit po ekzagjeronin dhe se ata ishin gjithashtu fajtorë për luftën. Një punonjës i IT tha se ai u kërkonte falje ukrainasve kur i takonte.

“Dua të them, nuk mund të bëjmë asgjë. Nuk ka asgjë për të thënë. Unë thjesht i shmang”, tha Vladimir, punonjësi i IT.

Megjithatë, ka edhe rusë të cilët e zgjedhin Antalian për të pushuar sikur të mos kishte ndodhur asgjë edhe pse agresioni në Ukrainë vijon.

Para fillimit të luftës, ukrainasit dhe rusët në Antalia shkonin mirë. Qyteti kishte tendencë të tërhiqte një turmë liberale dhe mendjehapur. Shumë turq në zonë mësuan pak rusisht për të komunikuar me turistët.

“Komuniteti është i ndarë, tani është shumë më ndryshe seç ishin gjërat para 24 shkurtit”, tha Olena Tanchyk, një konsulente financiare që ndihmon në drejtimin e një shkolle, Berehynia, për fëmijët refugjatë ukrainas.

Daria Katello, 31 vjeç, një ish-mësuese angleze nga Mariupol, tha se ajo u përpoq të ishte e sjellshme me të gjithë, përfshirë fqinjin e saj bjellorus. Por kur fqinji u ankua se Katello e kishte të lehtë sepse ajo mund të shkonte kudo në Evropë, ndryshe nga bjellorusët që janë të kufizuar përsa i përket vizave, kjo shkaktoi një krisje në marrëdhënien e tyre.

“Unë jam nga Mariupoli, nuk mund të shkojmë në shtëpi, sepse shtëpitë tona janë zhdukur. Por jo të gjithë rusët janë të këqij, sigurisht. Është ok që ata janë këtu. Ne jemi të gjithë qenie njerëzore dhe mund të përpiqemi të zgjedhim një vend më të mirë për të jetuar,” tha ajo.

Olena Gokce, një ukrainase e cila ka 15 vjet që jeton në Antalia, që nga fillimi i luftës ka bërë të pamundurën për të shmangur ndërveprimet e gjata me rusët, duke përfshirë klientët në kafenenë që ajo drejton.

“Unë them përshëndetje, mirë se erdhe, buzëqesh. Dhe sigurisht kur fillojnë të flasin rusisht me mua, unë them që nuk flas rusisht. Ata më thonë si ka mundësi sepse një vit më parë kujtojnë se unë flisja rusisht. Unë thjeshtë u them që e kam harruar atë gjuhë”, deklaroi ajo.