Armend Zemaj nga Lidhja Demokratike e Kosovës është deputeti që ka përfituar më së shumti nga kompensimet për udhëtim, bazuar në të dhënat e publikuara nga Kuvendi i Kosovës për kompensimet e deputetëve për 11 vjetët e fundit.
Zemaj, me origjinë nga Deçani, është kompensuar me 25 mijë e 50 euro, sipas llogaritjeve që KOHA ka bërë nga listat e publikuara. Ai ka marrë këto kompensime nga viti 2011 e deri më 2021, duke përjashtuar një periudhë kur ishte ministër i Qeverisë Hoti.
Në mesatare, ai është kompensuar me 2277 euro për vit, për udhëtime për pjesëmarrje në seanca plenare e në komisione.
Më 2021 ai u kompensua me 1.800 euro. Viti “më i kompensueshëm” për Zemajn ishte 2012-a me 4.110 euro kompensim.
Kuvendi i Kosovës të martën publikoi listat me shpenzime të udhëtimit të deputetëve për periudhën 2011-2021. Deputetët kompensohen për udhëtime bazuar në vendimin e ish-kryetarit të Kuvendit, të marrë më 10 tetor 2011. Aty parashihet kompensimi për shpenzime të udhëtimit me 10 euro deri në 30 kilometra rrugë, 20 euro për deri në 60 kilometra rrugë dhe 30 euro për mbi 60 kilometra rrugë.