Armenia kërkon ndërhyrjen e paqeruajtësve rusë në Nagorno-Karabakh

Autoritetet armene u bënë thirrje të hënën paqeruajtësve rusë në Nagorno-Karabakh që të ndërmarrin “hapa konkretë”.

Kjo, pasi forcat e Azerbajxhanit morën kontrollin e një fshati strategjik në rajonin e shkëputur.

Lajmi bëhet i ditur nga Agjencia Franceze e Lajmeve (AFP).

Trupat azerbajxhanase pushtuan të enjten fshatin Farukh në Nagorno-Karabakh.

Zona është nën përgjegjësinë e paqeruajtësve rusë, të cilët u dislokuan në Karabakh.

Moska zyrtare i dha fund luftimeve me javë të tëra mbi rajonin nga Armenia dhe Azerbajxhani në fund të vitit 2020.

Ministria ruse e mbrojtjes tha të dielën se Azerbajxhani kishte tërhequr forcat e tij nga fshati, por Baku zyrtar tha se forcat e tij mbetën në kontroll të zonës.

Ministria e Jashtme e Armenisë në një deklaratë të hënën kërkoi një “hetim mbi veprimet e kontingjentit paqeruajtës rus gjatë inkursionit të Azerbajxhanit”.

“Ne presim që kontingjenti paqeruajtës i Rusisë në Nagorno-Karabakh të ndërmarrë hapa konkretë për t’i dhënë fund inkursionit të njësive të Azerbajxhanit në zonën e përgjegjësisë së paqeruajtësve”, thuhet në deklaratë.

Sipas AFP-së, një shpërthim i madh në Karabakh mund të përbëjë një sfidë për Rusinë me forcat e saj të angazhuara thellësisht në Ukrainë.

Moska vendosi rreth dy mijë paqeruajtës në rajon pas luftës së vitit 2020, e cila mori më shumë se 6 mijë e 500 jetë.