Kryeministri Edi Rama ka theksuar edhe njëherë qëndrimin e Partisë Socialiste ndaj ish-ministrit të Mjedisit Lefter Koka i arrestuar pak ditë më parë për dosjen e inceneratorëve.
“Në momentin kur drejtësia i kërkon hesap dikujt nga ne ai duhet të marrë avokat dhe të përballet me drejtësinë. Ne nuk jemi zyrë avokatie. Çështjet me drejtësinë janë individuale dhe jo çështje partiake. Sa kohë ballafaqimi me drejtësinë vazhdon, ai që thirret në ballafaqim nuk ka punë me Partinë Socialiste”, u shpreh Rama.
Ai deklaroi se kush shkel në dërrasë të kalbët duhet të përballet vetë. Ai theksoi se shkelja e Kokës nuk ka lidhje me projektin e inceneratorëve, pasi sipas tij këto kanë shpëtuar qytetet që ishin kthyer në gangrena.
“Jua kam bërë të qartë që në fillim që punët e skuadrës janë punët e secilit prej jush. Kush shkel në dërrasë të kalbur duhet të përballet vetë. Këtu ajo që vlen nga ana tjetër është që sjellja e gabuar, korruptive apo kriminale ose sjellja e cila provohet nga drejtësia se është në rregull nuk ka lidhje fare me faktin që projekti për ndërtimin e këtyre impianteve ka shpëtuar Elbasanin, Tiranën dhe ka hapur edhe rrugën për shpëtimin e Fierit.
Këto qytete që ishin gangrena…edhe Tirana ka filluar. Projekti i Tiranës është projekt, ka filluar përpunimi dhe grumbullimi. Të gjitha këto janë asete që janë aty. Janë vepra që janë aty. Kush ka bërë zullum e ka bërë individual, edhe individualisht duhet të përgjigjet”, u shpreh Rama.
Rama e cilësoi shkeljen e Lefter Kokës zullum pas shpine por që nuk hedh poshtë procedurën që është ndjekur për inceneratorët .
“Pse njëri pas shpine bën zullum çfarë është kjo gjë këtu? Është bërë një procedurë që nuk ka asnjë kontestim për momentin. Ata që hetojnë nuk kanë kontestim për procedurën. Inceneratori është sukses i qeverisë. Sot Tirana, Elbasani dhe Fieri nuk kanë më merakun se do të digjen plehrat. Zgjidhen problemet e qarqeve. Durrësi po mbytej nga plehrat. Pse nuk ka më plehra nëpër lajme. Ky program është histori suksesi.
Në çdo histori suksesi mund të ketë probleme të kësaj natyre. Kush ka probleme përgjigjet përpara drejtësisë. Në momentin kur dikush kapet në një situatë, është përgjegjësia e tij. Nuk kemi të bëjmë me raste si privatizimi i ARMO-s që ishte një katastrofë. Askush akoma nuk ka dhënë llogari. Veprat janë atje. Unë di që aty ku punohet nuk vidhet. Kush vjen duhet të shkojë të përgjigjet para drejtësisë”, tha Rama.
Ai theksoi se mban përgjegjësi vetëm për vete, dhe në rast se e gjithë qeveria kapet me shkelje duhet të përballet me drejtësinë.
“Edhe nëse kapet gjithë qeveria, përgjegjësia është individuale. Unë kam përgjegjësi morale dhe politike për veten time në momentin kur akuzohem unë. Dhe them unë nuk e lë këtë barrë të vijë në kurriz të partisë. Reformën në drejtësi e kam dashur unë dhe kam udhëhequr unë. Kur kam thënë që dua një drejtësi që të jetë e barabartë për të gjithë e kam besuar. Nuk ekziston në asnjë vend të planetit që kryeministri të mbajë përgjegjësi për ministrat. Nuk kam lidhur unë kurorë me asnjë njeri”, u shpreh Rama.