Sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Financave, Arlind Gjokutaj dhe dy drejtorë të këtij institucioni, Alban Ruli dhe Fatmir Hoxha janë arrestuar me akuzën e shpërdorimit të detyrës.
Arrestimet vijnë pas hetimeve ndaj shtetasit Ilir Thana i cili akuzohet për mashtrim, ndërkohë hetimet kishin nisur edhe për zyrtarë të zyrës përmbarimore dhe Ministrisë së Financave të cilët me veprimet e bëra në kundërshtim me ligjin kanë shkaktuar një dëm ndaj buxhetit të shtetit që raportohet se kap shifrën e 1.2 milionë eurove.
Bëhet fjalë për një veprim të kryer nga ana e tyre në shtator 2022 kur ata vendosën të kompensojnë një qytetar për një godinë që ishte kompensuar më herët.
Shuma prej 480 milionë lekësh të vjetra që iu kalua shtetasit Ilir Thana vlerësohet si një vjedhje në Buxhetin e Shtetit.
Kush është Arlind Gjokutaj, zyrtari i lartë i Financave që u arrestua
Arlind Gjokutaj, ka lindur në Gjirokastër në vitin 1981.
Ai ka kryer studimet për Administrim Biznesi në Universitetin “Boçoni” në Milano, si dhe ka përfunduar studimet master për Financë dhe Menaxhim Risku në Universitetin “Bicoça” në Milano.
Gjokuta është anëtar i Trupës së Nivelit të Lartë Drejtues (TND) që nga muaji janar 2016.
Karriera e tij në sektorin publik:
- Nisi si ekspert i çështjeve fiskale dhe monetare në Bankën e Shqipërisë
- Koordinator i Posaçëm për ekonominë pranë Këshillit të Ministrave (2015-2017)
- Drejtor i Përgjithshëm i Drejtorisë së Parandalimit të Pastrimit të Parave(2017-2019)
- Drejtor i Përgjithshëm i Doganave (2019) dhe Drejtor i Përgjithshëm i Njësisë Speciale Antikorrupsion dhe Antievazion (2020-2021)
- Më 5 tetor 2021 u emërua Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Financave dhe të Ekonomisë