Kreshnik Çerçizaj dhe Armando Ogranja janë dy viktimat e atentatit mafioz në Athinë. Dy shqiptarët u ekzekutuan mbrëmjen e së dielës në një lokal në sheshin e Nea Zmirni, nga një person i maskuar me maskë kirurgjikale.
41 vjeçari Çerçizaj mori dy plumba në kokë dhe humbi jetën në vengjarje, ndërsa shqiptari tjetër, 44-vjeçari Armando Ogranja u qëllua në gjoks. Ai u dërgua në spital por nuk arriti t’i mbijetojë plagëve të marra.
Vrasësi gjakftohtë i dy shqiptarëve në Greqi fillimisht skanoi zonën në sheshin Nea Smyrni dhe më pas u fut brenda në lokalin e mbushur me klientë duke i qëlluar për vdekje.
Ai mban veshur kominoshe të zeza, xhup me kapuç, çizme sportive dhe maskë kirurgjikale. Kur afrohet drejt tavolinës ku ishin ulur viktimat është i ftohtë, nuk i interesojnë klientët përreth, nxjerr pistoletën nga xhepi i xhupit me dorën e djathë dhe qëllon.
Krimi i rëndë ndodhi pak pas orës 21:30. Pasi qëlloi mbi dy shqiptarët, vrasësi u largua nga vendngjarja.
Një nga plumbat qëlloi edhe një vajzë 31-vjeçare, e cila ishte ulur në një tavolinë aty pranë dhe nuk kishte asnjë lidhje me dy viktima. Ajo ndodhet në spital dhe fatmirësisht nuk është në rrezik për jetën.
Në kafene është shkaktuar panik pas të shtënave. Pjesa tjetër e klientëve, duke parë këtë pamje të paprecedentë dhe duke mos kuptuar se çfarë po ndodhte, filluan të vrapojnë për të shpëtuar veten ose u fshehën poshtë tavolinave.
Në panik, një nga klient u rrëzua dhe u plagos lehtë, për fat nuk kishte nevojë as të shtrohej në spital.