Autoritetet në Mariupol: Rusia bombardon shkollën e artit ku strehoheshin 400 civilë

Autoritetet lokale të Mariupolit këtë të diel kanë theksuar se ushtria ruse ka bombarduar një shkollë arti në qytet ku ishin strehuar 400 banorë.

Mediat e huaja kanë publikuar deklaratën e postuar në telegram nga këshilli i Mariupolit dhe Verkhovna Rada ukrainase, të cilët theksojnë se gra, fëmijë dhe të moshuar ndodheshin brenda dhe janë ende nën rrënojat e shkollës së artit të shkatërruar G12 në rrethin e Bregut të Majtë të qytetit.

Ndërkohë nuk ka asnjë informacion në lidhje me numrin e viktimave që mund të jenë shkaktuar nga ky sulm.

Mesazhi akuzonte rusët për kryerjen e krimeve të luftës, duke i bërë jehonë fjalimit të mëparshëm video të presidentit Zelenskiy. Në transmetimin e tij të vonë të natës, Zelenskiy tha se rrethimi i Mariupolit “do të hynte në historinë e përgjegjësisë për krimet e luftës“.