Dy ditë më parë ka ndodhur një tentim vrasje në Pejë, ku pesë persona dyshohet se kanë sulmuar brutalisht me mjete të forta druri dhe kallash babë e bir, Mentor dhe Agron Gashi. Për këta dy të fundit, njëri nga të dyshuarit kryesorë për sulmin ndaj tyre, Endrit Gashi, ka thënë në një prononcim për Sinjalin, se nuk ka asnjë lidhje familjare me viktimat, në rastin e fundit ka vepruar në vetëmbrojtje, pasi thotë se Agroni bashkë me babain e tij Mentorin kanë tentuar ta therin me thikë.
Tri ditë më vonë, drama mes personave të përfshirë në rast ka vazhduar. Mentori dhe Agroni dje janë arrestuar pasi dyshohet se kanë rrëmbyer dhe keqtrajtuar një person të mitur, për të cilin kishin dyshime se ishte pjesë e grupit i cili i sulmoi ditën e 3 janarit.
Sinjali mëson se mesditën e së enjtes, Mentori dhe Agroni kanë marrë me forcë viktimën dhe me veturën e tyre e kanë dërguar atë në fshatin Ozdrim, ku e kanë keqtrajtuar fizikisht për orë të tëra duke e goditur me shufra metalike.
E gjithë këtë ata dyshohet se e bënë në shenjë hakmarrjeje dhe përmes kësaj metode të dhunshme kanë tentuar që të mësojnë identitetin e personave të dyshuar për sulmin ndaj tyre.
Për shkak të dhunës që përjetoi, i mituri është dërguar me urgjencë në spital, ku sipas burimeve të Sinjalit brenda Emergjencës, mjekët kanë konstatuar se ai ka pësuar thyerje në njërën dorë.
Ndërkohë gjithë tmerrin e përjetuar e ka rrëfyer para hetuesve policorë dhe si rezultat i denoncimit, Mentor dhe Agron Gashi kanë përfunduar në pranga.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarve t’u caktohet masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh dhe të njëjtit do të hetohen nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Lëndim i rëndë trupor’.