Tensionet në veri të Kosovës vijojnë të jenë prezentë. Sot përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka mbajtur një prononcim për media lidhur me këtë situatë të rëndë.
Për Borrel, përplasjet në rrugë mes serbëve dhe forcave të rendit të Kosovës, janë të rënda dhe nuk kontribuojnë në gjetjen e një kompromisi.
Borrell ka shtuar se ministrat e jashtëm të BE-së, do të diskutojnë sot pikërisht për situatën në veri të Kosovës.
“Ne menduam se kishim arritur një marrëveshje, por serbët e Kosovës iu përgjigjën arrestimit të ish-policit serb të Kosovës me trazira në rrugë, madje ata hodhën shok-bomba ndaj policëve tanë (anëtarë të misionit të BE-së në Kosovë ). Kjo është e papranueshme, e di që të dyja palët po përpiqen për de-përshkallëzimin, por duhet të kuptoni se përplasjet në rrugë nuk çojnë në arritjen e një marrëveshje, e as nuk është rruga e duhur për normalizim të situatës”, tha Borrell.
Kujtojmë se disa serbë në veri të Kosovës, kanë bllokuar rrugët që nga dita e shtunë dhe vijojnë t’i mbajnë barrikadat aty.
Situata e tillë ka ardhur, për shkak të pretendimeve serbe se është dhunuar një ish zyrtarë i tyre.
Ata e kanë ndërmarrë këtë veprim pasi Policia e Kosovës ka arrestuar ish-zyrtarin serb, Dejan Pantiq, nën dyshimet se ka organizuar “sulm terrorist” në zyrat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës.
Qeveria e Kosovës, SHBA-ja dhe Mbretëria e Bashkuar kanë bërë thirrje për largimin e menjëhershëm të barrikadave.