POLITIKE

Beogradi në protestë, gjuhë urrejtjeje ndaj shqiptarëve dhe thirrje për dorëheqjen e Vuçiqit

Partitë e djathta opozitare në Serbi u mblodhën mbrëmjen e 28 qershorit në Beograd, në shenjë mbështetjeje për serbët nga Kosova.

Në mesin e tyre u dëgjuan fyerje dhe gjuhë urrejtjeje ndaj shqiptarëve.

Tubimin e organizoi “Lëvizja për Mbrojtjen e Kosovës dhe Metohisë”, me mbështetjen e partive të djathta, përfshirë edhe partitë opozitare parlamentare: Dveri dhe Zavetnici.

Në tubim u dëgjuan këngë nacionaliste për Kosovën dhe u shpalos pankarta: “Stop terrorit ndaj serbëve në Kosovë e Metohi”.

Të tubuarit valëvitën flamuj të Serbisë dhe slogane “s’ka dorëzim”, në të cilat figuronte edhe harta e Kosovës.

Ata kërkuan mbështetjen e Rusisë për politikën e Serbisë ndaj Kosovës.

Në mesin e kërkesave të tyre u dëgjua lirimi i serbëve të arrestuar në veri të Kosovës, të cilët Policia e Kosovës i ka identifikuar si organizatorë të incidenteve në atë zonë, gjatë muajit të kaluar.

Kritika ndaj Vuçiqit

Derisa folësit në protestë u drejtuan me fyerje dhe gjuhë të urrejtjes ndaj shqiptarëve, ata kritikuan edhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke kërkuar dorëheqjen e tij.

Qeveria në Serbi u quajt “tradhtare”, ndërsa Marrëveshja e Ohrit për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi u kritikua ashpër.

Me këtë marrëveshje, thanë protestuesit, “Qeveria e Serbisë ka dorëzuar krahinën jugore“.

Protesta u zhvillua në kohën e tensioneve të larta në veri të Kosovës – zonë e banuar me shumicë serbe – dhe të presionit diplomatik mbi Prishtinën dhe Beogradin për ta qetësuar situatën.

Ajo është përkeqësuar qysh në fund të majit, kur kryetarët shqiptarë të komunave atje kanë hyrë në zyrat e tyre, me gjithë rezistencën e banorëve lokalë serbë.

Komuniteti serb në veri i ka bojkotuar zgjedhjet e 23 prillit, prej të cilave kanë dalë kryetarët shqiptarë të Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit.

Protestat që vazhdojnë, kanë kulmuar edhe në dhunë midis demonstruesve serbë dhe ushtarëve të misionit të NATO-s, KFOR.

Ka pasur, po ashtu, raporte për sulme me granata dore dhe mjete të tjera.

Policia e Kosovës ka arrestuar disa serbë nën dyshimet se kanë organizuar dhunë.

Komuniteti ndërkombëtar kërkon nga Kosova që ta shtensionojë situatën – mes tjerash, duke organizuar zgjedhje të reja në veri. Nga Serbia, ndërkaq, kërkon të sigurojë pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhjet eventuale./REL


FM IMAGES

FM IMAGES ALBANIA - Copyright © 2025 e-mail: info@fmimages.net. All Rights Reserved.

Recent Posts

  • BOTA

Irani pezullon operacionet ushtarake kundër Izraelit

Irani ka njoftuar se ka pezulluar operacionet ushtarake kundër Izraelit, por ka paralajmëruar se do…

2 orë ago
  • POLITIKE

Pjesëmarrja në zgjedhjet e djeshme, më e ulëta në pesë ciklet e fundit zgjedhore

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbajtura dje në Kosovë kanë regjistruar pjesëmarrjen më të ulët…

7 orë ago
  • KRYESORE

Numërimi i afrohet 100 përqëindëshit: LVV 43,03 %, PDK 21.21 %, LDK 17.68 % dhe AAK 7.10%

Numërimi i afrohet 100 përqëindëshit: LVV 43,03 %, PDK 21.21 %, LDK 17.68 % dhe…

18 orë ago
  • FOTO&VIDEO

Afro 20 për qind të votave të numëruara, prin VV’ja

Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të prijë në rezultatet preliminare të procesuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve…

21 orë ago
  • KRYESORE

Zgjedhjet në Kosovë – Exit Polli i Albanian Post në T7: VV’ja 43%, PDK 22, LDK 18 dhe AAK 7

Sot në Kosova janë mbajtur zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare. Lidhur me këtë,  është publikuar Exit…

22 orë ago
  • KRYESORE

Narrativa të fabrikuara: Si u deformuan protestat për Zvërnecin

Pamje të nxjerra jashtë kontekstit, imazhe të krijuara me Inteligjencë Artificiale dhe narrativa gjeopolitike u…

1 ditë ago