Berisha: Është parashikuar që depot e gazit të jenë në shpellat e Dumresë

Në një tryezë me ekspertë, këtë të mërkurë, Sali Berisha foli për krizën e energjisë. Ai u shpreh se një zgjidhje të cilën Shqipëria nuk po e përdor është energjia e prodhuar nga platformat e erës.

“Shqipëria ka platformat e erës ndër më të fuqishmet në botë. Karaburuni është një nga platformat e erës më të fuqishme, po ashtu edhe gryka e Tepelenës, rrafshnalta e Pukës. Ka me dhjetëra zona që janë studiuar, por patën një tërheqje pasi u tërhoq BE-ja nga subvencionimi i energjisë gri. Por më vonë u bënë sërish aktuale. Ka parqe gjigante erërash. Këto projekte janë studiuar vite e vite nga kompanitë”, tha Berisha.

Më tej, ish-kryeministri foli edhe për TAP-in, duke theksuar se është në ligjin që parlamenti ka miratuar në vitin 2013 që ky gazsjellës të kishte një dalje në Seman.

“TAP përbën projektin më të madh të viteve në Europë, qëndrimi i tyre ndaj gazsjellësit ka qenë korruptiv, jo në raport me gazsjellësin, por me klientelën e gazit në Shqipëri. Kontrata e votuar në parlament në vitin 2013 ka përcaktime të qarta ligjore, ku konsorciumi i ndërtimit është i detyruar të lërë dalje në Seman për Shqipërinë. Pikërisht këtu qëndron fakti që Shqipëria qëndron si një vend nevralgjik për Europën.

Shqipëria, në këtë gazsjellës, ka fatin të jetë vendi i depozitave më të mëdha të gazit. Është parashikuar qartësisht që depot e gazit do të jenë në Dumre, e studiuar për shpellat e saj gjigante me thellësi të madhe me kupolë kripe. Ky dimension është shumë i rëndësishëm. Kjo e bëri Shqipërinë shumë tërheqëse për TAP-in”, tha Berisha.