Biznesmeni kontrovers grek komploton rikthimin në fushat e naftës shqiptare

Për gati një dekadë, kompania ‘Stream Oil and Gas’ –e quajtur ‘Transatlantic Petroleum’ nga 2014 dhe e udhëhequr nga biznesmeni grek, Sotirios Kapotas dhe partneri i tij shqiptar Arian Tartari, kontrolloi nëpërmjet marrëveshjeve hidrokarbure me kompaninë shtetërore të naftës Albpetrol, vendburimet Ballsh-Hekal, Gorisht-Kocul, Cakran – Mollaj si dhe vendburimin e gazit në Delvinë.

Në vitin 2017, pasi grumbulloi dhjetëra milionë dollarë borxhe ndaj Albpetrol dhe kontraktorëve të tjerë vendas, Transatlantic Petroleum Ltd u shit dhe e transferoi borxhin tek një kompani tjetër ‘offshore’, duke e shtyrë Ministrinë e Energjetikës të prishte marrëveshjen hidrokarbure, duke ia rikthyer vendburimet e naftës Albpetrolit.

Një vit më vonë, Albpetrol hapi një tender për lidhjen e marrëveshjeve të reja për tre vendburimet e naftës, Gorisht-Kocul, Cakran-Mollaj dhe Amonicë.

Por një nga konkurrentët kryesorë është sërish biznesmeni Sotirios Kapotas, i cili po tenton të rikthehet në vendburimin Gorisht-Kocul përmes kompanisë Letho Resources dhe një beteje ligjore 2-vjeçare kundër Albpetrol për t’u shpallur fituese.

Dokumenteve gjyqësore tregojnë se Letho Resources dhe një kompani tjetër nga Kanadaja – Alcan Petroleum Ltd ndajnë një adresë të përbashkët në Tiranë, e cila më parë i përkiste kompanisë Stream Oil and Gas. Alcan Petrolem Ltd, ka bërë gjithashtu një padi kundër Albpetrol për tenderin e mbajtur në vitin 2018 për tre fushat e naftës.

Përveç padisë administrative kundër Albpetrol për t’u shpallur fituese e tenderit shumë të debatuar për vendburimin e naftës Gorisht- Kocul, kompania Letho Resources ka lidhur një marrëveshje për blerjen e koncesionarit aktual të vendburimit Ballsh- Hekal, Anio Oil and Gas sh.p.k.

Letho Resources nuk iu përgjigj pyetjeve me shkrim mbi të shkuarën kontroverse të drejtuesit të saj ekzekutiv, Sotirios Kapotas në tregun shqiptar të hidrokarbureve. Ndërkohë, Arian Tartari nuk ishte i arritshëm për koment deri në publikimin e këtij shkrimi.

Albpetrol dhe Ministria e Energjisë dhe Infrastrukturës nuk i përgjigjën një kërkese për koment nga BIRN, nëse e kishin miratuar transferimin e vendburimit Ballsh-Hekal nga kompania Anio Oil and Gas tek Letho Resources Corporation.

Akuza politike

Sipas Administratës Ndërkombëtare të Tregtisë, një agjenci e Departamentit të Tregtisë në SHBA, vlerësohet së Shqipëria ka rezerva nafte të rikuperueshme të barabarta me 120 milionë fuçi dhe 5.7 miliardë m3 gaz. Vendburimi më i madh i naftës është ai Patos-Marinzë, i cili nga viti 2004 kontrollohet nga kompania Bankers Petroleum, nëpërmjet një marrëveshje hidrokarbure për ndarjen e prodhimit me Albpetrol.

Nga viti 2007 deri në vitin 2017, Albpetrol kishte një marrëveshje të ngjashme për vendburimet Ballsh-Hekal, Gorisht-Kocul, Cakran – Mollaj dhe për fushën e gazit në Delvinë me kompaninë ‘Stream Oil and Gas’, e cila në vitin 2014 u shkri me kompaninë ‘Transatlantic Petroleum Ltd’.

‘Stream Oil and Gas’ është një kompani e themeluar në 20 korrik 2007 në ishujt Cayman – një territor britanik në Karaibe, i konsideruar si parajsë fiskale. Kapitali fillestar i kompanisë ishte 500,000 dollarë kanadezë. Tre javë pas themelimit, më 8 korrik 2007, kompania lidhi 4 marrëveshjet hidrokarbure me Albpetrol. Më 2 prill 2008, drejtorët e Stream Oil and Gas, emëruan administratorë të degës së saj në Shqipëri, biznesmenin Arian Tartari dhe atë grek Sotirios Kapotas, ndërsa kompania e kishte selinë në “Rruga Ismail Qemali, Samos Tower, Kati V.”

Sipas të dhënave nga regjistri publik i transaksioneve të drejtorëve të kompanive në Kanada, SEDI, si një nga drejtorët e kompanisë, Tartari përfitoi në 4 prill 2008, 6 milionë aksione të Stream Oil and Gas – gjysma e të cilave u shitën në vitin 2014.

Përfitimi i aksioneve nga Tartari, partner i ish-deputetes së PD-së, Albana Vokshi, solli akuza nga Partia Socialiste në atë kohë opozitë, e cila në vitin 2010 e akuzonte biznesmenin Tartari për lidhje të ngushta me familjen e ish-kryeministrit Berisha.

“Berisha ka favorizuar për përfitime personale kompaninë e bashkëshortit të deputetes Albana Vokshi, duke i dhënë të drejtën e shfrytëzimit të 4 nga 6 vendburimeve të naftës që ka vendi,” deklaroi në një konferencë për shtyp në gusht 2010, Erion Braçe, në atë kohë nënkryetar i grupit parlamentar të Partisë Socialiste.

“Më datën 15 gusht, pra vetëm 1 javë pasi ka marrë kontratat qeveritare, aksionerët e kësaj kompanie hyjnë në transaksione dhe blejnë 2 milionë aksione të themeluesve të Stream Oil, me një vlerë prej 5 milionë dollarësh,”, theksoi Braçe.

Drejtori i ‘Stream Oil and Gas’, Sotirios Kapotas i konsideroi akuzat e Partisë Socialiste si false dhe kërcënoi me padi në gjykata shqiptare dhe ndërkombëtare.

Në një deklaratë për mediat, Kapotas i kërkoi qeverisë dhe opozitës që të mbrojnë emrin e kompanisë dhe investimet e saj kundrejt deklaratave false, ndërsa theksoi se do të kërkohej kompensim për dëmin që do të shkaktohet.

“‘Stream Oil’ nuk ka asnjë anësi politike dhe ndodhet në Shqipëri për të investuar dhe jo për të qenë mjet i politikës,” theksoi ai.

Një mal me borxhe

Një vit pas ardhjes në pushtet të Partisë Socialiste, me 3 shtator 2014, kompania ‘Stream Oil and Gas’ u shkri me kompaninë Transatlantic Petroluem Ltd, sipas një marrëveshjeje me vlerë 41.2 milionë USD. Përveç Shqipërisë, Transatlantic Petroluem Ltd deklaronte se kishte interesa në vendburime nafte në Turqi dhe Bullgari.

Në vitin 2015, edhe dega shqiptare e kompanisë, sipas të dhënave të bëra publike në Qendrën Kombëtare të Biznesit, ndryshon emrin nga ‘Stream Oil and Gas’ në ‘Transatlantic Petroleum’. Pikërisht në këtë periudhë, problemet e kompanisë me kontraktorët fillojnë të dalin në sipërfaqe, si pasojë e urdhrave të njëpasnjëshëm të sekuestrimit të kuotave aksionere për detyrime të pashlyera nga përmbaruesit privatë.

Sipas bilancit të vitit 2015, kompania Transatlantic Petroleum ka pasur detyrime të pashlyera ndaj furnitorëve me vlerë 1.87 miliardë lekë. Por ndërsa aksionet e degës së Transatlantic Petroleum u bllokuan në Shqipëri pas një duzine urdhërash përmbarimorë për borxhe të pashlyera ndaj kompanive lokale, kompania mëmë i shiti asetet e saj një tjetër kompanie ‘offshore.” Në fundit të shkurtit 2016, Transatlantic LTD hyn në një marrëveshje me kompaninë GBC Oil Ltd.

Nëpërmjet degës së saj TAT Holdings B.C., Transatlantic i shet të gjithë asetet e ‘Stream Oil and Gas’ tek kompania GBC Oil në shkëmbim të pagesës së një kredie prej 2.3 milionë USD ndaj bankës Raiffeissen – të marrë nga dega në Shqipëri, si dhe marrjen përsipër të borxheve të kompanisë që përfshinin 23.1 milionë USD të pagueshme ndaj furnitorëve dhe hua në vlerë prej 6.1 milionë USD. Ndërkohë, kompania i transferoi asetet dhe detyrimet e fushës së gazit në Delvinë me vlerë 12.9 milionë USD një kompanie të tretë të quajtur Delvina Gas Holdings.

GCB Oil është një kompani e regjistruar në Delaware të SHBA, që sipas Autoritetit të Konkurrencës është në pronësi të Continental Oil and Gas. Në vitin 2017, Transatlanic ka shitur dhe 25 % të aksioneve të kompanisë Delvina Gas Holdings për 300 mijë USD kompanisë Delvina Investment Partners LTD, duke dalë nga tregu shqiptar i hidrokarbureve.

Për shkak të borxheve në vitin 2016, kompania Transatlantic Petroleum Albania humbi të drejtat mbi vendburimin Ballsh-Hekal, të cilat iu transferuan pas një ankandi kompanisë Anio Oil and Gas sh.p.k.

Ndërsa në janar 2017, Ministria e Energjisë dhe Infrastrukturës si përfaqësues i aksionerit shtet, i ka dhënë miratimin kompanisë Albpetrol për prishjen e marrëveshjes hidrokarbure me kompanisë Transatlantic Petroleum Albania Ltd dhe marrjen e vendburimeve Gorisht-Kocul dhe Cakran-Mollaj për shkak të borxheve të akumuluara.

“Arsyeja e marrjes së këtyre dy vendburimeve nga kompania koncesionare është mospërmbushja e detyrimeve kontraktuale, ku ndër më kryesoret është krijimi i një detyrimi të madh financiar kundrejt Albpetrol sh.a. Ky detyrim kap shifrën 20 milionë dollarë, pjesa thelbësore e të cilit është krijuar gjatë viteve 2008-2013,” tha MEI nëpërmjet një njoftimi për shtyp.

Ngjashëm në mars 2017, Abpetrol nisi procedurat për marrjen nën kontroll të vendburimit të naftës së Amonicës nga kompania Phoenix Petroleum për “mospërmbushje të detyrimeve kontraktuale.”

Rikthimi i Kapotas

Pas marrjes nën kontroll të tre vendburimeve të naftës, Gorisht-Kocul, Cakran – Mollaj dhe Amonicë, Albpetrol hapi një “Thirrje për shprehje interesi” për lidhjen e marrëveshjeve të reja hidrokarbure.

Në tender morën pjesë 9 kompani hidrokarburesh, ku përfshiheshin Bankers Petroleum, Transoil Group AG (më vonë Terraoil Swiss), Shandong Kerui Petroleum Equipment, Letho, Verssa Versatile, Pennine, Alcan, Fluid Oil dhe Zennith Energy.

Më 9 maj 2018, ish-ministri i Energjisë dhe Infrastrukturës, Damian Gjiknuri urdhëroi ngritjen e një grupi negociator për lidhjen e marrëveshjeve hidrokarbure me kompaninë Terraoil Swiss (në atë kohë Transoil Group) dhe një muaj më vonë, i kërkoi Albpetrolit që të bëjë kërkesë në Agjencinë Kombëtare për Burimet Natyrore për pajisjen me licencë marrëveshjeje të koncesionarit.

Vendimi për hapjen e thirrjes fillimisht u kontestua nga kompania “Jurimex Komerz Transit GmbH’, e cila kishte mbajtur disa bisedime me Albpetrol në vitin 2017 për marrjen me koncesion të këtyre tre vendburimeve. Ndërkohë, shpallja fitues e Transoil Group, më vonë Terraoil Swiss, u kontestua në gjyq edhe nga kompanitë Alcan Petroleum Ltd dhe Letho Resources Corporation.

Letho Resources Corp. është një shoqëri aksionere kanadeze e themeluar në vitin 2005 me adresë në Vankuver, British Columbia, Kanada.

Më 3 tetor 2018, Letho emëroi si drejtor ekzekutiv Sotirios Kapotas, duke e motivuar këtë vendim me transformimin e kompanisë në “një prodhues nafte me fokus Shqipërinë”.

Në Gjykatën Administrative të Vlorës, Letho Resources fitoi në një padi kundër Albpetrol të drejtën për të negociuar për lidhjen e marrëveshjes hidrokarbure për vendburimin Gorisht-Kocul.

Sipas vendimit të gjykatës, Terraoil Swiss ishte favorizuar në tender, nuk i plotësonte kushtet për t’u kualifikuar dhe se marrëveshja hidrokarbure e kësaj kompanie me Albpetrol mund t’i kushtonte shtetit nga 250 deri në 300 milionë dollarë. Çështja ndodhet aktualisht në Gjykatën Administrative të Apelit.

Konkurrenti tjetër në tender, Alcan Petroleum LTD është një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, e regjistruar edhe ajo në Vankuver, British Columbia. Në paditë gjyqësore, Letho Resources dhe Alcan Petroleum LTD kanë dhënë të njëjtën adresë në Shqipëri; ish zyrën e ‘Stream Oil and Gas’ në “Rruga Ismail Qemali, Samos Tower, Kati V.”Edhe kompania Jurimex jep të njëjtën adresë në padinë administrative në Gjykatën Administrative Vlorë.

Në të njëjtën adresë listohet ende një kompani konsulence me aksionerë Sotirios Kapotas dhe Arian Tartari, e quajtur “KSP1 Consulting”, por lidhja midis të tre kompanive është e paqartë. Ajo që është e qartë është lidhja e Sotirios Kapotas me kompaninë Letho Resources, ku ai shërben si drejtor ekzekutiv dhe president, që nga 3 tetori 2018.

Më herët, në korrik 2018 kompania Letho Resources ka nënshkruar gjithashtu një marrëveshje me kompaninë Anio Oil and Gas për blerjen e të drejtave për fushën e naftës Ballsh-Hekal dhe i ka avancuar kompanisë së naftës shqiptare një kredi prej 500 mijë USD.

Kjo marrëveshje nuk rezulton të jetë reflektuar në Qendrën Kombëtare të Biznesit.

/BIRN/