Derisa Kryeministri Albin Kurti dhe shefi i BE’së Joseph Borrell kanë shpërthyer në akuza e kundër akuza ndaj njëri tjetrit, shkaku i mos arritjes së një marrëveshje me Serbinë për targat në Veri, filozofi Blerim Latifi i ka kritikuar të dyja palët.
Sipas Latifit, BE’ja po jep mesazh implicit se kanë interes ta largojnë Serbinë nga Rusia, duke e sakrifikuar Kosovën. Ndërsa, për shefin e ekzekutivit kosovar thotë se bëri gabim katastrofal që u ka besuar europianëve dhe ka shpërfillur këshilltar e amerikanëve.
“Ju nuk jeni shtet përnjëmend, prandaj, në raport me Serbinë që është shtet përnjemend, BE-ja merr parasysh pozicionin serb”, shkruan Latifi të jetë një mesazh i BE’së ndaj Kosovës.
Reagimi i tij i plotë:
Ne nuk duam eskalim të situatës, prandaj kërkojmë që ju të hiqni dorë nga zbatimi i ligjit dhe të pranoni paligjshmërinë e Serbisë brenda territorit tuaj!
Mesazhi implicit: ju nuk jeni shtet përnjëmend, prandaj, në raport me Serbinë që është shtet përnjemend, BE-ja merr parasysh pozicionin serb!
Mesazhi tjetër implicit: Ne, pra BE-ja, jemi të interesuar parasegjithash ta largojmë Serbinë nga Rusia dhe për këtë ia vlen ta sakrifikojmë Kosovën, të cilës kemi kaq kohë që ia kemi mbyllur dyert dhe ndonëse ia kemi premtuar liberalizimin e vizave tash e sa vite, nuk e kemi as ndërmend t’ia mbajmë premtimin!
Dhe nëse 3500 paramilitarët serbë të stacionuar në veri nisin kundërvënien e armatosur ndaj forcave kosovare të rendit, fajtor do të mbahet Kosova.
Në tërë këtë lojë të ndyrë, gabimi katastrofal i Kurtit është se u ka besuar europianëve dhe ka shpërfillur këshillat e amerikanëve. Në fakt me këtë ai ka rënë në kurthin e të parëve, të cilët e kanë shfrytëzuar çarjen e Kurtit me amerikanët për ta poshtëruar edhe njëherë shtetin e Kosovës.