39 avionë ushtarakë kinezë u futën brenda hapësirës ajrore të Tajvanit të dielën, tha Ministria e Mbrojtjes atje. Ky ishte inkursioni më i madh i ndodhur që nga fillimi i vitit, në një tjetër vatër të nxehtë konflikti në botë, pas asaj në kufirin mes Ukrainës dhe Rusisë.
Avionët kinezë fluturuan si kundërpërgjigje e një patrullimi të përbashkët amerikano-japonez në Detin e Filipineve, ku morën pjesë dy aeroplanmbajtëse dhe dy anije amfibe amerikane, dhe një destrojer japonez.
Deti i Filipineve është një zonë në Oqeanin Paqësor në lindje të Tajvanit, mes ishullit dhe territorit amerikan të Guamit. Marina amerikane tha se bashkimi i këtyre anijeve luftarake ishte bërë “për të ruajtur lirinë e lëvizjes në rajonin e Indo-Paqësorit”.
Tajvani është shkëputur prej 70 vitesh nga Kina dhe ka një qeveri të vetën, të krijuar nga nacionalistët kinezë që humbën luftën civile. Por Partia Komuniste e Kinës, që drejton vendin, nuk e njeh shkëputjen dhe e konsideron Tajvanin si pjesë të sajën, edhe pse nuk e ka kontrolluar kurrë. Pekini zyrtar nuk e ka përjashtuar kurrë ndërmarrjen e veprimeve ushtarake ndaj Tajvanit. Të dielën brenda hapësirës ajrore të ishullit u futën disa avionë luftarakë, si edhe një bombardues bërthamor H-6, tha Ministria tajvaneze e Mbrojtjes.